Rastet e dhunës në familjet kosovare po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që çdo ditë e më shumë gratë janë ato që po përjetojnë dhunë fizike e psikike nga bashkëshortët e tyre. Në mesin e këtyre rasteve jo rrallëherë viktimat kanë qenë edhe zyrtare policore. Kështu ka ndodhur së fundmi edhe në një familje në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Fushë Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se Prokuroria është vënë në dijeni për këtë rast të dhunës në familje ku viktimë është një police (emër i njohur për redaksinë) pasi ajo e ka denoncuar në Polici bashkëshortin e saj.
Sinjali ka mësuar se si ndodhi rasti dhe ju sjellë të gjitha detajet më poshtë.
Ku nisi konflikti:
Bazuar në dëshminë e zyrtares policore është zbuluar se bashkëshorti i saj dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj, pas një mosmarrëveshje që kanë pasur me njëri tjetrin, të shtunën në mesditë. Por telashet mes tyre dyshohet se kanë nisur kohë më parë.
Të njëjtat burime nga Prokuroria kanë bërë të ditur se nga deklarata e polices është kuptuar se çifti ka pasur probleme edhe më herët, pasi burri dyshohet se ka ushtruar edhe dhunë fizike ndaj saj, por e njëjta kishte vendosur të mos e denoncojë rastin.
Sipas informacioneve të para, në njërin nga këto raste, i dyshuari ia kishte dëmtuar edhe një pajisje zyrtare të viktimës, në shenjë revolte.
Situata që u krijua në shtëpinë e tyre dhe dhuna që përjetoi nga bashkëshorti më në fund e detyruan policen që për ta parandaluar më të keqen, ta njoftojë Policinë për gjithçka që kishte ndodhur.
Si rezultat i këtij denoncimi, Policia është vënë në veprim dhe ka prangosur bashkëshortin e zyrtares policore, i cili është shoqëruar në stacion policor, ku është përballur me denoncimin kundër tij.
Ndaj tij, prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin në kohëzgjatje prej 48 orësh për veprën penale “dhunë në familje” dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor./Sinjali