Në pesë ditët e fundit janë shënuar disa incidente në pjesën veriore të Kosovës, ku para 16 ditësh u mbajtën zgjedhjet për kryetarë të komunave. Të enjten u raportua që dera e objektit komunal në Zubin Potok është bllokuar, të premten Policia njoftoi për një shpërthim që kishte ndodhur pranë stacionit policor, ndërsa sot disa persona në orët e para të mëngjesit kanë tentuar të bllokojnë hyrjen e ndërtesës së komunës në Zveçan.
Në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat në Veri fituan kandidatët shqiptarë nga PDK e VV. Ndonëse kanë kaluar më shumë se 10 ditë që nga certifikimi i rezultateve nga KQZ, kryetarët e rinj ende nuk janë betuar. Mirëpo, në veri, ditëve të fundit janë shënuar disa incidente.
Të enjten që lamë pas u raportua se dera e objektit të komunës në Zubin Potok është bllokuar me një derë të hekurit. Kjo u mohua nga kryetari i ri, Izmir Zeqiri, ndërsa policia e Kosovës ka thënë se askush nuk e ka raportuar rastin, prandaj nuk ka ndërhyrë në atë pjesë.
Një ditë më vonë u shënua një incident në afërsi të stacionit policor në Mitrovicë të Veriut. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, ka thënë se nga ky shpërthim është dëmtuar një veturë dhe një shtyllë elektrike.
“Po, rreth orës 03:00 ka ndodhur një shpërthim. Si pasojë është dëmtuar një veturë dhe një shtyllë elektrike. Policia është duke e trajtuar rastin si ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ka thënë Elshani të premten për Express.
Ndërkaq, në orët e para të mëngjesit të së martës, patrullat policore në Zveçan kanë hasur dy persona duke punuar në dyert e ndërtesës së komunës së Zveçanit. Ata ishin duke salduar hekura në dyert e objektit të komunës.
Lajmin për Express e konfirmoi zëdhënësi Veton Elshani. Ai tha se për këtë rast janë intervistuar dy persona, të cilët më pas janë liruar.
“Rreth orës 1 në mëngjes patrullat policore kanë has në dy persona duke punuar në dyert e ndërtesës se Komunës së Zveçanit. Për arsye të prishjes se rendit dhe qetësisë publike dhe me qëllim me kuptu se çfarë po bëjnë aty, këta dy persona janë sjellë në stacion dhe janë intervistu. Të njëjtit janë liruar pas intervistimit”, tha ai për Express.
Paralajmërimi i Vuçiqit dhe propozimi i BE-së
Javën e kaluar, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se Bashkimi Europian ka dhënë një propozim lidhur me çështjen e zgjedhjeve, të cilin ai e ka pranuar, por tha se Kosova e ka refuzuar.
Ai paralajmëroi se mund të mbahet një takim në nivelin teknik “më 18, 20 apo 21 maj”.
“Unë pranova, Prishtina refuzoi. Mendoj se është shumë e rëndësishme që ta kalojmë atë situatë… Shpresoj që deri në raundin e ardhshëm në nivel teknik, qoftë ai më 18, 20 apo 21 maj, do të ketë reagime nga disa të tjerë që mund të ndikojnë në ndryshimin e qëndrimeve të tilla. Unë nuk jam optimist, por mund të premtoj se do të bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”, tha Vuçiq.
Shefi i shtetit serb u kujdes që të paralajmërojë “një krizë të madhe” në veri të Kosovës duke e lidhur këtë me betimin e kryetarëve të rinj. Kur u nga gazetarët në Serbi se çfarë do të ndodhë më 28 maj, tha se ka kuptuar “se ka një plan për t’i dëbuar serbët nga Kosova”.
Detaje për propozimin e BE-së ka dhënë këshilltari politik i Kurtit, Jeton Zulfaj.
Zulfaj tha se “ideja është që këta të digjen si mandate duke mos e bërë betimin, kërkesa të tilla nuk mund të parashtrohen”, derisa ka shtuar se tashmë ka kryetarë komunash të zgjedhur me mandat ligjor. /GazetaExpress