Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Zubin Potokut, Slavisha Bishevac, nga Iniciativa Qytetare për Zubin-Potok, ka dhënë të hënën dorëheqje nga pozita e tij në këtë komunë.
“Kossev” ka bërë të ditur se qëllimi është që në mënyrë demokratike të parandalohet që kryetari i sapozgjedhur Izmir Zeqiri, ta marrë detyrën.
Bishevac u bë kryetar i Kuvendit Komunal të Zubin-Potokut me automatizëm, pasi serbët nga veriu u larguan nga institucionet e Kosovës në nëntorin e vitit të kaluar, përfshirë edhe pushtetin lokal.
Në atë kohë, pozitat e asamblistëve mbetën vakante në katër komuna. Për dallim nga Zveçani dhe Leposaviqi, në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin-Potok – asamblistët që automatikisht ishin në radhë në listë, iu dha mundësia për t’i plotësuar vendet e lira./Sinjali
Në fund të dhjetorit, dy muaj pas braktisjes së institucioneve në këtë komunë, në Zyrën për minoritete në fshatin Çabër u mbajt seanca në të cilën bënë betimin 13 këshilltar të nacionalitetit shqiptarë nga LDK-ja, PDK-ja dhe Vetëvendosja.
Më 26 janar të këtij viti, tre këshilltarë të Iniciativës Qytetare për Zubin-Potok, së bashku me kryetarin vendosën të merrnin mandatet e tyre, siç thanë atëherë, në mënyrë që “shqiptarët të mos qeverisin të pavarur në këtë komunë”.
Që atëherë, thanë ata, kanë mbajtur vetëm një seancë formalisht që të mos u hiqen mandatet.
Në zgjedhjet e 23 prillit që u mbajtën në katër komunat veriore të Kosovës, Iniciativa Qytetare për Zubin-Potok nuk mori pjesë. Siç thanë “nuk besojnë se zgjedhjet janë organizuar në mënyrë demokratike”.
Kryetari i Kuvendit Komunal, Bishevac, mori ftesë për ta organizuar seancën ku do të zyrtarizohej kryetari i ri. Ndonëse Iniciativa Qytetare për Zubin-Potok tha se ajo do të mbahet me apo pa pjesëmarrjen e saj, Bishevac vendosi të largohej nga posti.
“Dëshiruam që të ndalojmë marrjen e detyrës nga kryetari i ri, duke dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit, i cili duhet ta thërrasë atë Kuvend. Në këtë mënyrë duam të pengojmë që kryetari i ri të marrë detyrën në Zubin Potok, ku shumica absolute e popullsisë janë serbe”, thuhet nga Iniciativa.