I mori 1200 euro duke premtuar se do ta pajiste me diplomë, arrestohet sekretari i një shkolle të mesme

Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Ferizaj ka arritur të sigurojë dëshmi relevante se i dyshuari, sekretar i një shkolle të mesme, ka pranuar ryshfet nga viktima, duke i premtuar se do ta pajisë me diplomë të shkollës së mesme. I njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Është arrestuar sekretari i një shkolle të mesme nën dyshimin se i njëjti kishte pranuar para nga një çift në këmbim të pajisjes me diplomë të shkollës së mesme, në Ferizaj.

Sipas një komunikate të Policisë së Kosovës, i dyshuari tashmë është intervistuar./Dukagjini

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, respektivisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Ferizajt, pas zhvillimit të hetimeve për një kohë, ka arritur të siguroj dëshmi relevante se i dyshuarit (m) me pozitë sekretar i një shkolle të mesme teknike, gjatë ushtrimit të detyrës në vazhdimësi, nga muaji Dhjetor 2022 deri në muajin Mars 2023 kishte pranuar/marr ryshfet nga viktima (f) dhe bashkëshorti i saj njëmijë e dyqind (1200)Euro, duke i premtuar se do ta pajis me diplomë të shkollës së mesme, pasi shkolla në fjalë ofronte këtë mundësi me programin e quajtur “Mësimi i Përshpejtuar”. Sot me datë 11.05.2023, është arrite të sigurohet prezenca e personit të dyshuar për tu intervistuar. Pas intervistës dhe analizës së gjitha dëshmive është ardhur në përfundim se ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari ka kryer veprat penale “Marrja e Ryshfetit” dhe “Mashtrimi” sipas kodit penal të RKS-së”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

“Të gjitha veprimet hetimore kanë qenë të koordinuara me Prokurorin kompetent, ku i dyshuarit pas intervistës në prezencë të avokatit mbrojtës, me vendim të Prokurorit është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore”, thuhet në njoftim.