Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica – Xhelili, e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se është duke abuzuar me qytetarët e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u pyet nëse ka opinion që mbështetësi i tij u zgjodh drejtor në RTK dhe ai u përgjigj se nuk ka asnjë me mbiemër të njëjtë të punësuar në ndonjë ministri në Kosovë.
Kjo deklaratë e Kurtit, sipas deputetes së LDK-së, Doarsa Kica – Xhelili, është ofenduese për qytetarët./Dukagjini
“Seriozisht? A mund ta imagjinoni? A mund ta analizoni si përgjigje? Domethënë, sipas tij, rehatimi i mbështetësve, bashkëpartiakëve, donatorëve të VV, madje edhe përfshirja e tyre në afera potenciale milionëshe në sektorin energjetik dhe jo vetëm, AMNISTOHET, sepse nuk e paskan mbiemrin Kurti”, ka shkruar ajo.
“Shtëpinë ku e ke? Më të rëndësishmen, familjen, gruan e vajzën, ku? Ku i arsimon? Ku i shëron? A ballafaqohet vajza jote në shkollë me bullizimin që fëmijët e politikanëve në Kosovë i kanë duruar deri në vaj depresiv për shkak të diskursit tënd kur ti i shpallje tradhëtarë? Varret e gjyshërve e babgjyshërve, dhimbjen e familjarëve të vrarë me mbiemrin tënd, a e ke?”, ka vijuar ajo.
Kica – Xhelili, e akuzoi kryeministrin se po abuzon qëllimshëm me qytetarët e Kosovës.
“Mos, kryeministër! Je mjaftueshëm inteligjent për të kuptuar që po ofendon përtej asaj që e duron kjo shoqëri, që nënkupton se po e bën qëllimshëm. Po abuzon qëllimshëm. Kjo është brutalisht e pafalshme”, tha ajo.