Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka publikuar një fjalim të mëhershëm të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ku flet për pesë kushtet për Serbinë sa i përket dialogut, raporton Gazeta Express.
Kurti në këtë fjalim dëgjohet teksa numëron pesë kushte pa plotësimin e të cilave thotë se Kosova jo që s’duhet të komunikojë por as të dialogojë e negociojë me Serbinë.
Në këto kushte, Kurti ka përmendur largimin e Kosovës nga Kushtetuta, kthimin e të pagjeturve dhe kërkimfaljen, dorëzimin e kriminelëve që kanë kryer krime në Kosovë, ndalimin e shtypjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe kushti i fundit që ndërlidhet me zhdëmtimin për dëmet e luftës, raporton Gazeta Express.
“Kushti i parë, juridik edhe legal, Serbia duhet me e ndryshu kushtetutën e saj dhe me e pranu pavarësinë e Kosovës. Kushti i dytë, humanitar dhe moral, Serbia duhet me i kthy të pagjeturit dhe me na kërku falje për krmet e kryera. Kushti i tretë, me na i dorëzu ata kriminel që i kanë bërë vrasjet, dhunimet dhe torturat në Kosovës. Kushti i katërt, është kushti politik. Serbia duhet me pushu me shtypjen dhe diskriminim të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe kushti i pestë është kushti i zhdëmtimit. Pa plotësimin e këtyre kushteve, ne nuk kemi pse të komunikojmë se lërë më të dialogojmë e të negociojmë me Serbinë”, kishte thënë Kurti.
Hoti me ironi ka shkruar për Kurtin “Ja njeriu i fjalës. Dëgjojeni!”
Kryeministri Albin Kurti e ka vazhduar procesin e dialogut me Serbinë edhe përkundër faktit se s’janë plotësuar asnjë prej kushteve që në vazhdimësi ka numëruar, të njëjta siç i liston edhe në video. /GazetaExpress