Kurti: Insistojmë për zbatimin e plotë të marrëveshjeve, pa vonesa dhe kushte

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova insiston në zbatim të plotë e të përpiktë të marrëveshjes me Serbinë të arritur në Bruksel dhe Ohër.

Kryeministri Kurti nëpërmjet një konference për media, ka thënë se takimi me emisarin e Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është si vazhdim i takimit të 2 majit që është zhvillur në Bruksel.

Po ashtu, ai ka thënë se bisedimi me Lajçak ishte “përgatitje e takimit që do të zhvillohet me ekipin negociator”.

“Insistimi ynë është të zbatohet ajo që është dakorduar. Pra, zbatimi i plotë, i përpiktë, i secilit nen, pa vonesa dhe pa kushte. Ne e dimë që pala tjetër ka bërë deklarata se nuk e pranon marrëveshjen në përmbajtje, por vetëm në koncept dhe se zbatimi i saj ka kufizime. Për ne kjo është e papranueshme dhe ishte e rëndësishme që sot ta konfirmojmë me emisarin Lajçak që marrëveshja është ajo me 11 nene nga 27 shkurti në Bruksel dhe 12 pikat e aneksit të zbatimit në në Ohër”, ka thënë Kurti, pasi mori pjesë në Konferencën për Integritetin e Informacionit, organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), mbështetur nga USAID në Kosovë, DISICON.

Ndër të tjera, Kurti ka deklaruar se është i interesuar të bashkëpunoj për ta shkruar së bashku “një vizion për komunitetin serb në Kosovë sa i përket nivelit adekuat të vetëmenaxhimit siç e sheh neni i 7 i marrëveshjes së dakorduar”.

“Jemi të interesuar që të bashkëpunojmë për ta shkruar bashkë më tej një vizion për komunitetin serb në Kosovë sa i përket nivelit adekuat të vetëmenaxhimit. Ky është synimi ynë paralelisht me atë që duhet të ketë zbatim të plotë dhe sa më të shpejtë”, ka deklaruar Kurti.

“Siç e sheh neni 7 i marrëveshjes së dakorduar duke mos anashkaluar edhe nenin 10. Ky është synimi ynë paralelisht me atë që duhet të ketë implementim të plotë dhe më të shpejt. Bisedimet janë duke u zhvilluar. Pas Kosovës Lajçak do të shkoj edhe në Serbi dhe në javën e ardhshme besoj që do të kemi një takim”, ka thënë tutje ai.

Këtë të enjte, emisari evropian, Lajçak ka zhvilluar një takim me kryeministrin Kurti.

Duke folur para gazetarëve pas takimit, emisari evropian ka thënë se qëllimi i takimit ishte të krijohet një kuptim i qartë se si do të veprohet tani e tutje.

“Ne kemi Marrëveshjen, kemi Aneksin, ndaj duhet të kemi një kuptim të qartë të hapit të parë, hapit të dytë dhe hapit të tretë”, është shprehur ai, duke shtuar se diskutimi me kryeministrin e Kosovës ishte “shumë intensiv, por shumë i rëndësishëm”.

I pyetur për modelin kroat për Asociacionin, për të cilin Qeveria e Kosovës insiston, Lajçak është shprehur se ajo që është e pranueshme për Bashkimin Evropian është diçka që “bazohet në normat evropiane dhe vlerat evropiane, e cila është në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.

“E kemi thënë që në fillim. Nuk do të them më shumë për këtë. Unë mendoj se jam mjaft i qartë”, është shprehur ai.

Më 2 maj, në Bruksel është mbajtur rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim, palët kanë arritur pajtim për Deklaratën e të Zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, por është prezantuar edhe draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

Ky draft-statut nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe një ditë më vonë, anëtarët e Ekipit Menaxhues janë shkarkuar nga autoritetet kosovare.

Serbia kërkon që Asociacioni të themelohet, ndërkaq Qeveria e kryeministrit Kurti është shprehur kundër një asociacioni njëetnik./Dukagjini