Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka përfunduar pyetjet për dëshmitarin e katërt në sesion privat, në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ndërkaq, nesër pritet të fillojnë kundra-pyetjet nga mbrojtësit.
Para se të përfundonte seanca, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith III, ka dhënë një urdhër me gojë, që kishte të bënte me pyetjet nga trupi gjykues për dëshmitarin, raporton Betimi për Drejtësi.
“Urdhri për zhvillimin e gjykimit parasheh që pyetjet nga trupi gjykues mund të bëhen pasi mbarojnë palët me pyetjet e veta në mënyrë që t’i kemi kuptuar mirë çfarë kanë pyetur palët dhe pyetjet e trupit gjykues mund të bëhen të pavlefshme dhe të panevojshme si rezultat i kundra- pyetjeve nga mbrojtja”, tha ai.
Gjykatësi Smith, ka deklaruar se urdhri për zhvillimin e gjykimit parashikon rëndësitë e nevojshme për të garantuar drejtësinë e palëve për të bërë pyetje sqaruese që dalin nga informacionet e reja.
Paraprakisht, ai tha se pyetjet nga trupi gjykues mund të bëhen në çdo moment dhe se të njëjtat nuk janë kundra-pyetje dhe nuk pasqyrojnë pyetjet e palëve, por synojnë që të zbulojnë të vërtetën.
Ndryshe, nesër pritet që mbrojtësit e ish-krerëve të UÇK-së të fillojnë me kundra-pyetjet./Klan Kosova