Me moton “Bashkë për shëndetin mendor”, është mbajtur marshi i parë ndërgjegjësues për shëndetin mendor në Kosovë, në ditën e parë të Javës së Ndërgjegjësimit për Shëndetin Mendor.
Aktivistët e organizatës nga Qendra për Hulumtime Psiko Sociale dhe Mjekësore, para qeverisë kërkuan që institucionet relevante të investojnë në programet dhe burimet e edukimit për shëndetin mendor, në mënyrë që kjo gjë të realizohet.
Veronë Përçuku, nga kjo organizatë, derisa tregon arsyen pse janë mbledhur, tha se shëndetit mendor duhet t’i kushtohet më shumë rendësi.
“Jemi mbledhur e kemi marshuar për të gjithë ata individë që janë duke u ballafaquar me sfida të shëndetit mendor, për të gjithë ata që mund të jenë të privuar nga mundësia për ta kuptuar se janë duke u ballafaquar me sfida të shëndetit mendor”, tha Përçuku.
Përçuku bëri thirrje institucioneve që ta zhvillojnë dhe zbatojnë një strategji gjithëpërfshirëse për parandalim të vetëvrasjes, dhe bëjnë thirrje për ligjësimin e linjës telefonike kombëtare për parandalim të vetëvrasjes.
Elona Bytyqi, studente në vitin e tretë në Fakultetin e Psikologjisë, po ashtu bëri thirrje institucioneve që t’i kushtojnë më shumë rendësi shëndetit mendor.
Edhe Arlinda Gashi, nga kjo organizatë tha se është e domosdoshme që institucionet përgjegjëse të ofrojnë shërbime për shëndetin mendor.
Për nder të kësaj jave, nis edhe edicioni i 5-të i festivalit “Terapia e Artit” në Kosovë, në Kino Armata, në orën 18./KP