Ngrënia e një vakti ushqimi të nivelit të yjeve të Michelin në “buzë të hapësirës” mund të jetë një realitet vitin e ardhshëm, nëse kompania franceze Zephalto ia del.
Sipërmarrja e turizmit hapësinor, e themeluar nga ish-kontrolluesi i trafikut ajror Vincent Farret d’Astiès, aktualisht po shet “bileta të rezervimit paraprak” për udhëtimet e ardhshme në një kapsulë nën presion, të quajtur Celeste, e bashkangjitur në një tullumbace stratosferike.
Kjo kapsulë do të ngjitet në një lartësi prej 25 kilometrash, duke i lejuar mysafirët të mrekullohen me pamjen e Tokës. Në mes të shikimeve, udhëtarët do të ushqehen me stil.
Biletat e rezervimit paraprak shkojnë për 10,000 euro dhe u japin blerësve një shans për të rezervuar një vend sa herë që biletat dalin në shitje. Në përgjithësi, një udhëtim në Celeste do t’ju kushtojë120,000 euro.
Zephalto i tha CNN Travel se vendet në bordin e fluturimeve të para nga fundi i vitit 2024 deri në mesin e vitit 2025 tashmë janë grumbulluar dhe se tani po shesin vende të para-rezervimit për mesin e vitit 2025 e tutje, transmeton Klan Kosova.
Celeste premton të transportojë gjashtë pasagjerë dhe dy pilotë në lartësinë maksimale në vetëm 90 minuta, me një shpejtësi prej katër metrash në sekondë. Kapsula më pas do të fluturojë mbi Tokë për tre orë – kohë për të shijuar një vakt me shumë pjata dhe disa gota verë të mirë franceze.
Farret d’Astiès shtoi se teksa opsionet e ushqimit dhe pijeve të Celestes do të jenë luksoze, “pamja dhe udhëtimi i përgjithshëm mbetet fokusi qendror i ofertës, duke i lejuar mysafirët të vlerësojnë dhe të shijojnë bukurinë e mjedisit të tyre”.