Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill ka thënë se vazhdon të jetë përkrahës i madh i nismës rajonale Ballkani i Hapur.
Ai ka theksuar se Open Balkan ka për qëllim që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen kësaj nisme për të hapur kufijtë siç u shpreh ai për tregtinë e mallrave dhe për lëvizjen e turistëve.
Ndërsa, vetëm Kosova vazhdon të jetë kundër kësaj iniciative rajonale.
“Ne kemi vërejtur se kemi nevojë që ata kufij të jenë kufij, jo për të ndarë vendet, por më tepër vendet që bashkojnë vendet. Ka pasur një sërë përpjekjesh për integrimin rajonal, një nga ato këtu në Ballkan, të cilin ministri Momiroviq e përmendi, dhe do ta përmend sërish, sepse jam përkrahës i madh i kësaj nisme, Open Balkan, që provon të ftojë të gjitha vendet, dhe këtë gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor, të bashkohen. Kërkon të sigurohet se pavarësisht nga statusi i tyre, vendet të bashkohen, të punojnë së bashku dhe të veprojnë për të hapur kufijtë, dhe për të siguruar që ata kufij të lehtësojnë tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, si dhe lëvizjen e turistëve”, theksoi ai.
Ambasadori Hill ka treguar edhe përshtypjet e zyrtarëve të lartë të Shqipërisë për integrimin në Ballkanin e Hapur. Këto komente ambasadori amerikan i bëri në një ngjarje të përbashkët me ministrin e Tregtisë në Serbi, Tomisllav Momiroviq.
“Isha në Shqipëri dhe ishte shumë kënaqësi të dëgjoja një nga zyrtarët e lartë të thoshte para një grupi prej nesh, se një nga gjërat më të mira që ka ndodhur në Shqipëri është hapja e kufijve përmes sistemit të Open Balkan. Fakti që turistët serbë që nuk kishin pasur realisht mundësinë të shkonin në bregdetin shqiptar në të kaluarën, tani janë vizitorë të shpeshtë në Shqipëri, të gjitha ato targa nga Beogradi dhe gjetkë nga Serbia, treguan vërtet për faktin se ndryshimet historike janë duke ndodhur, ku Shqipëria dhe Serbia po punojnë së bashku, si asnjë herë gjatë historisë”, theksoi ai.
Ndërsa, edhe në Qeverinë e Serbisë thonë se ia kanë parë hajrin integrimit në Ballkanin e Hapur.
Ministri i Tregtisë në Serbi, Tomisllav Momiroviqi ka thënë se pas BE-së, vendet e CEFTA-s janë tradicionalisht partneri i dytë më i rëndësishëm i tregtisë së jashtme të Serbisë.
Sipas tij, shkëmbimi i përgjithshëm i mallrave me vendet e CEFTA-s në vitin paraprak ishte 7 miliardë euro, ndërsa eksportet arritën në afro 5 miliardë euro dhe importet rreth 2 miliardë euro.
“Qeveria jonë po zbaton në mënyrë aktive aktivitetet e parashikuara në planin e veprimit për tregun e përbashkët rajonal, që rezulton nga nisma Ballkani i Hapur, sepse është çelësi i përmirësimit të marrëdhënieve tona ekonomike dhe politike. Dhe më lejoni t’ju them se Ballkani hapur është për mendimin tim, çështja më e madhe ekonomike që po krijojmë së bashku sot, duhet të heqim të gjitha procedurat e panevojshme kufitare sepse vetëm kështu mund të gjenerojmë më shumë investime ta përshpejtojmë dhe rrisim qarkullimin e njerëzve dhe mallrave dhe rrisim standardin e të gjithë qytetarëve tanë në rajon”, theksoi ai.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vazhdon të jetë kundër kësaj iniciative rajonale për Ballkanin e Hapur.
Takimi i fundit për Ballkanin e Hapur ndërmjet presidentit të Shqipërisë, Edi Rama, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ishte në Itali më 2 prill.