“Unë i kam denoncuar dhe vazhdoj t’i denoncoj në Prokurori çdo çështje ligjore e cila është ndërmarrë në të kaluarën në Ministrinë e Bujqësisë”.
Kështu ka deklaruar Ministri i Bujqësisë, Faton Peci në studion e “FIVE” të RTV Dukagjini.
Peci ka thënë se çështjet e menaxhimit të pronës janë ato për të cilat ka pranuar vërjetje të vazhdueshme. Si rrjedhojë, ka autorizuar krijimin e një komisioni specifik.
“Në kuadër të angazhimeve të mija për të pasur një punë dhe angazhim më efikas…në vazhdimësi kam vërejtur se diku për më shumë se 10 vite, vërejtjet e vazhdueshme të auditorit kanë qenë për çështjet e menaxhimit të pronës dhe përderisa kam parë që ky është njëri ndër defektet e mëdha në qeverisjen e Ministrisë së Bujqësisë, unë kam autorizuar që të formohet një komision i cili evidenton se cilat janë shkeljet dhe pse kjo është një vërjetje e vazhdueshme për më shumë se një dekadë”, ka deklaruar Peci.
Ndër të tjera, ai përmend edhe njërin nga vendet ku pretendon të ketë gjetur shkelje mbi çështjen e lartëcekur.
“Të gjeturat e komisionit janë edhe më skandaloze sesa auditori diku për 10 vjet rresht e ka ngritur si një problematikë. Unë i kam denoncuar dhe vazhdopj ti denoncoj në Prokurori çdo çështje ligjore e cila është ndërmarrë në të kaluarën në Ministrinë e Bujqësisë. Instituti Bujqësor me seli në Pejë, mënyra se si është menaxhuar për më shumë se 10 vite, unë e them me përgjegjësi të plotë morale se thjesht është mënyra më e keqe se si mund të abuzohet me pozicionet dhe drejtimin e atij institucioni”, ka deklaruar ai.
Së fundmi, në llogarinë e tij në Facebook, Peci ka publikuar foto nga kryeqyteti të këtyre pronave me detaje për denoncimin e tyre në Prokurori./Dukagjini