Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka njoftuar se Kosova do të përfitojë nga programi i Bashkimit Evropian “Tregu i Përbashkët” prej 4.2 miliardë eurosh, duke u bërë kështu njëra ndër vendet e para që bëhet pjesë e kësaj skeme.
Hajdari bëri të ditur se marrëveshja mes Kosovës dhe këtij programi është nënshkruar më 11 maj, në ambientet e Komisionit Evropian në Bruksel, bashkë me drejtoreshën e Përgjithshme për Tregun e Brendshëm të Bashkimit Evropian, Industrinë, Ndërmarrësinë dhe Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme (DG GROË), Kerstin Jorna, njofton Klankosova.tv.
“Përfshirja e Republikës së Kosovës në Programin “Tregu i Përbashkët”, për periudhën kohore 2021 2027, është një hap shumë i rëndësishëm drejt procesit të integrimit të Kosovës në BE. Programi në fjalë është njëri ndër programet më të mëdha mbështetëse që posedon Bashkimi Evropian dhe si i tillë synon fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, mbrojtjen e konsumatorit përfshirë sigurinë e ushqimit, përmirësimin e statistikave dhe përmirësimin e sektorit financiar”, tha Hajdari në një konferencë për media.
Mes tjerash, Hajdari tha se përmes këtij programi bizneset dhe organizatat e Kosovës, pos që mund të jenë përfituese vetanake, ato mund të ndërveprojnë edhe me bizneset dhe organizatat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shteteve në proces të anëtarësimit në BE.
“Ne, si Republikë e Kosovës, kemi negociuar pjesëmarrjen në shtyllat të cilat janë te dedikuara për vendet jo-anëtare të BE-së të cilët janë si në vijim: 1. Forcimi i konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së NVM-ve 2. Mbikëqyrja e tregut 3. Operacionalizimi dhe zhvillimi i tregut të brendshëm të mallrave dhe shërbimeve si dhe politika e konkurrencës në një union më të fort dhe digjital 4. Standardizimi i raportit financiar dhe jo financiar ndërkombëtar përfshirë dhe standardet e auditivit 5. Mbrojtja e konsumatorit dhe siguria e produkteve”, u shpreh Hajdari.