Për një incident në një fshat të banuar me serbë në Graçanicë ku është raportuar për të shtëna me armë, Lista Serbe pretendon se autorët janë shqiptarë. Këto pretendime nuk vërtetohen as nga hetimet e Policia dhe Prokurorisë, por as nga drejtoresha e shkollës dhe banorët e zonës, të cilët për RTV Dukagjin thanë se asnjëherë nuk kanë pasur probleme me fqinjët shqiptarë dhe se nuk ndjehen të rrezikuar nga ta.
Rreth rrugës jetojnë kryesisht serbët, ndonëse ka edhe biznese me pronarë shqiptarë. Në qendër të fshatit Uglar të Graçanicës, i cili gjendet në afërsi të Fushë-Kosovës mësohet lirshëm gjuha serbe, në çerdhe e shkolla.
Situata e sigurisë është shumë e qetë, ndryshe nga e marta.
“Tre ankuesit meshkuj kosovarë (të mitur) kanë njoftuar se derisa ishin duke luajtur në oborrin e shkollës nga një veturë në lëvizje është shtënë tri herë me armë në drejtim të panjohur. Policia në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe sekuestruar 2 gëzhoja të kalibrit të panjohur. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti në hetime”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Për këtë rast, Lista Serbe, subjekti më i madh i komunitetit serb, fajëson shqiptarët.
Ata pretendojnë se persona që kanë shtënë flisnin shqip. Kjo parti, gishtin e drejton kah kryeministri Albin Kurti i cili sipas tyre po hesht ndaj këtyre rasteve.
As vetë raportuesit, që dyshohet se janë prindërit e këtyre nxënësve, nuk kanë thënë se në veturë dëgjuan dikë të fliste shqip.
Madje as nuk kanë raportuar se është shtënë në drejtim të shkollës, ashtu siç pretendon Lista Serbe.
Përkundër kësaj ngjarje mësimi në këtë shkollë ka vazhduar edhe sot, pa asnjë problem.
“Ka 30 minuta që drejtoreshën e kësaj shkolle po mundohemi që ta bindim që të flasë para kamerës, por pa sukses. Megjithatë e njëjta thotë se deri më tani asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë problem nga fqinjët shqiptarë këtu që banojnë afër ose edhe kalimtarët. Sa i përket çështjes së sigurisë pamjet tregojnë vet. Dyert e shkollës janë të hapura ndërkaq qarkullimi vazhdon normalisht”.
Me rastin është duke u marrë edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.
“Me të pranuar informatën prokurori kujdestar nga Policia e Kosovës menjëherë i ka autorizuar të njëjtit që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në drejtim të veprës penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, me qëllim që të sqarohen rrethanat e këtij rasti dhe të identifikohen kryerësit e këtij akti”, ka thënë Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Nga asnjëri institucion nuk është konfirmuar nëse ka të dyshuar ose arrestuar, e po ashtu nuk është thënë se incidenti mund të ketë karakter ndër-etnik.
Në këtë market punojnë një burrë dhe një grua të cilët po ashtu thonë se asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë problem me fqinjët shqiptarë./Dukagjini