Policia e Kosovës është deklaruar pas ceremonisë së betimit të kryetarit të ri të Komunës së Mitrovicës, Erden Atiq, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një komunikate për media, policia thotë se situata ka kaluar qetë dhe pa incidente, teksa ka bërë me dije se po vazhdojnë angazhimet në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend.
“Është detyrë e Policisë së Kosovës që të ofrojë siguri, të mbrojë të drejtat themelore të të gjithë personave, të ruajë pronën publike dhe private si dhe t’ua mundësojë lëvizjen e lirë dhe ushtrimin e të drejtave të gjithë personave pa dallim”, thuhet në komunikatë.
Ndyshe, kryetari i zgjedhur i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, sot ka bërë betimin e tij si kryetar.
“Unë Erden Atiq betohem se do të kryej detyrat e mia dhe do ti ushtroj kompetenca e mia si kryetar i komunës veriore, me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin në mënyrë që të siguroj kushtet për një jetë të qetë”, ka thënë ai gjatë momentit të betimit.
Atiq në këtë seancë e ka emëruar edhe nënkryetaren e Komunës, që është Katarina Axhançiq nga radhët e komunitetit serb.
Në zgjedhjet e 23 prillit, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq ka marrë 66.9% të votave./Sinjali