Klaus Gjasula, mesfushori i kombëtares shqiptare të futbollit, do të luajë në sezonin e ardhshëm përsëri në Bundesligë. Futbollisti ia ka dalë që të sigurojë ngjitjen në elitë sot me skuadrën e Darmshtad, e cila preu biletën me një fitore minimale në shtëpi ndaj Magdeburg.
Suksesi 1-0 i dha fund pritjes për klubin, i cili për herë të fundit ksihte qenë në Bundesligë në vitin 2015. Skuadra e Gjasulës kishte dominuar kampionatin dhe kur mbetet edhe një javë tjetër për t’u luajtur, ka sigurinë matematike se do të jetë përsëri në elitë.
Gjasula, i cili e ka provuar Bundesligën vetëm një edicion në karrierën e tij, në atë 2019-2020, ishte titullar edhe sot në radhët e skuadrës së tij në këtë ndeshje vendimtare, e cila u mbyll me një pushtim masiv fushe, ku lojtarët dhe tifozët festuan së bashku kthimin mes më të mirëve të futbollit gjerman.
Kujtojmë se mesfushori shqiptar kthehet në Bundesligë si rekordmen i saj, pasi është futbollisti i cili ka marrë më shumë kartonë të verdhë në një edicion të vetëm në elitë, plot 17 të tillë.