Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, përmes informimit javor të DHSK-së për medie në platformën ‘zoom’, të enjten, ka deklaruar se Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) kanë vazhduar masën e paraburgimit për Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
‘‘Në të njëjtën çështje gjyqësore trupi gjykues më 17 maj 2023 urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit me vendim përkatës për secilin’’, tha Doyle.
Tutje, ai tha se trupi gjykues ka konstatuar se ekziston ende rreziku që Krasniqi dhe Selimi mund të pengojnë ecurinë e procesit gjyqësor ose të kryejnë krime të tjera kundër atyre që konsiderohen se janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përfshirë edhe dëshmitarët që kanë dhënë ose do të japin dëshmi në çështjen gjyqësore dhe/ose priten të paraqiten para Dhomave të Specializuara.
Paraprakisht ai tha se në gjykimin Thaçi dhe të tjerët dëshmitari i pestë, i gjashtë dhe i shtatë të thirrur nga prokuroria kanë përfunduan dëshminë e tyre këtë javë.
‘‘Një pjesë e dëshmive u dha në seancë private dhe një pjesë në seancë publike. Vendimi i trupit gjykues për t’i mbajtur disa pjesë të gjykimit në seancë private merret rast pas rasti dhe arsyeja kryesore është mbrojtja e sigurisë dhe të identitetit të dëshmitarëve dhe viktimave’’, theksoi ai.
Po ashtu, i njëjti tha se me mbarimin e dëshmisë së dëshmitarit të shtatë të martën, seancat gjyqësore përfunduan për këtë javë dhe do të rifillojnë të hënën, më 12 qershor në orën 09:00.
Doyle tha se në këtë çështje gjyqësore, me 18 maj trupi gjykues miratoi pjesërisht mocionin e përbashkët të ekipeve të mbrojtjes me të cilin i kërkuan trupit gjykues që të bëjë konstatim gjyqësor për disa fakte të gjykuara më parë nga Gjykatat në Kosovë dhe TPNJ.
‘‘Rregullorja e lejon këtë për të shkurtuar kohën që nevojitet për paraqitjen e provave që lidhen me faktet e gjykuara më parë në procese të tjera gjyqësore. Prokuroria mund të paraqes gjatë gjykimit prova që kundërshtojnë saktësinë e këtyre fakteve nëse dëshiron’’, tha ai.
Ndërsa më pas ai tha se më 18 maj, kryetarja e DHSK-së, Ekaterina Trendafilova caktoi panelin e Gjykatës së Apelit për të shqyrtuar apelin e paraqitur nga Thaçi, Selimi dhe Krasniqi lidhur me pyetjen e një dëshmitari nga trupi gjykues, e që paneli i Apelit përbëhet nga gjykatësit Michele Picard, Kai Ambos e Nina Jorgensen.
Kurse tha se më 23 maj, trupi gjykues miratoi kërkesën e prokurorisë për të shtuar pesë materiale që lidhen me dëshmitarë ekspertë në listën e provave materiale të kësaj çështjeje gjyqësore.
‘‘Ndër to janë një akt ekspertize forenzike e ADN-së dhe një analizë e ADN-së së përditësuar lidhur me një viktimë të vrarë që përmendet me emër në aktakuzë. Lista e ndryshuar e provave materiale të prokurorisë duhet të dorëzohet deri më 30 maj 2023’’, tha Doyle.
Në vazhdim Doyle tha se gjykimi i Pjetër Shalës rifillon të martën më 30 maj në orën 09:30.
Ai tha ekipi i programit për ndërgjegjësim dhe komunikim të DHSK-së ndodhet në Kosovë këtë javë për tu takuar me studentë dhe shoqëri civile në Prishtinë dhe Mitrovicë.
‘‘Që prej vitit 2018 ky ekip ka takuar më shumë se 3 mijë vetë në të gjithë Kosovën të cilëve u ka dhënë informacion mbi gjykatën si dhe ka dëgjuar mendimet dhe ju kanë përgjigjur pyetjeve të tyre’’, përfundoi ai. / Betimi për Drejtësi