Për shkak të situatës në veri, tifozëve rumunë pritet t’u ndalohet ardhja në Prishtinë

Në Rumani vazhdojnë zhvillimet lidhur me ndeshjen e futbollit ndaj Kosovës. Pasi u hodh shorti i kualifikimeve për Euro 2024, në Rumani kishte propozime që të bojkotohen ndeshjet me Kosovën. Kjo pasi Rumania nuk e njeh Kosovën si shtet. Nga kjo ide e çmendur u hoq dorë menjëherë, ndërsa tani në Federatën e Futbollit të Rumanisë po shqyrtojnë mundësinë që tifozëve rumunë t’u ndalohet ardhja në Kosovë. Dhe arsyeja për këtë është goxha kundërthënëse.

Kosova e pret Rumaninë më 16 qershor në “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshja i takon Grupit I të kualifikimeve për Euro 2024.

Mediumi rumun “Agerpres.ro” ka shkruar se tifozëve rumunë mund t’u ndalohet udhëtimi për në Kosovë për shkak të incidenteve që po ndodhin në veri të vendit.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Rumanisë, Razvan Burleanu ka deklaruar të martën në një konferencë për shtyp se është i brengosur për situatën në veri të Kosovës dhe për këtë arsye ekziston mundësia që përfaqësuesja e Rumanisë nuk do të përkrahet nga tifozët në tribuna të stadiumit.

Burleanu ka thënë se siguria e tifozëve është primare dhe për këtë arsye do të shqyrtojnë disa skenarë. Ai ka thënë se në ditët e ardhshme do të ketë më shumë informata.

“Që në momentin e parë kur këto incidente ndodhën në kufirin mes Serbisë dhe Kosovës një grup punës është formuar në nivel të federatës sonë. Ne jemi në kontakt të afërt me zyrën e Rumanisë në Prishtinë, me federatën lokale të futbollit dhe me UEFA-n. Duke marrë parasysh informacionet që kemi, mund të konstatojmë se nuk ka rrezik për ndeshjen mes Rumanisë dhe Kosovës në Prishtinë. Por ne kemi një shqetësim për sigurinë e tifozë tanë që do të udhëtojnë në Prishtinë. Për këtë kërkoj nga tifozët që të përcjellin kanalet zyrtare të Federatës sonë ku do t’i publikojmë të gjitha informacionet që i kemi. Ne kujdesemi që siguria e tifozët tanë të mos rrezikohet. Ky është synimi ynë. Ne do të vendosim sigurinë e tifozëve rumunë mbi gjithçka tjetër dhe për këtë po shqyrtojmë më shumë skenarë”, ka thënë kryetari i federatës rumune, Burleanu.

Ai ka përsëritur se ndeshja nuk është në rrezik. Ka thënë se kur ka tensione në një zonë të caktuar, rritet numri i pjesëtarëve të sigurisë.

“Kur ka rreziqe të sigurisë, mund të jetë skenari i lëvizjes së ndeshjes. Por qartë se ky nuk është skenar në agjendën tonë tani. Një prej skenarëve është thjesht që të mos kemi përfitimet e përkrahjes së tifozëve nga tribunat, nëse ka ndonjë rrezik për ta”, ka shtuar presidenti i federatës rumune.

Mediat rumune i kanë kushtuar rëndësi deklaratës së presidentit të federatës së futbollit të Rumanisë.

“Skandal me ndeshjen e Rumanisë kundër Kosovës. FRF-ja po e merr në konsideratë ndalimin e udhëtimit të tifozëve rumunë”, ka shkruar “dcnews.ro”./Koha.net