As pas më shumë se tri javësh, Policia akoma nuk ka arritur të identifikojë dhe arrestojë personat e dyshuar, që kryen vjedhje të rëndë në shtëpinë e Shehut të Teqesë së Madhe në Gjakovë, ku u avulluan rreth 200 mijë euro, në valuta të ndryshme. Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për këtë rast, që bëri bujë në media dhe në opinion.
Nga Policia Rajonale në Gjakovë kanë bërë me dije për Sinjalin se ende nuk është identifikuar asnjë person që dyshohet të jetë i përfshirë në këtë rast, edhe pse ‘po zhvillohen hetime intensive’.
“Deri në këto momente nuk ka ndonjë person të arrestuar. Edhe përkundër hetimeve intensive që janë duke u zhvilluar, ende nuk është identifikuar ndonjë i dyshuar.”, tha zëdhënësi i Policisë në Gjakovë, Sheremet Elezaj.
Ndryshe, rasti dyshohet se ka ndodhur ndodhur më 22 maj, në orët e para të mëngjesit, kur në shtëpinë e shehut, Musa Shehu, janë vjedhur ky kasaforta të mbushura me para, në valuta të ndryshme, si dhe stoli ari, vlera e të cilave arrin rreth 200 mijë euro.
Lidhur me këtë rast, Teqja e Madhe ka reaguar, duke thënë se se paratë ishin pjesë e kursimeve disavjeçare dhe kishin qëllim investimin në rindërtimin e objektit të Teqes së Madhe në Marash-Hisar të Prizrenit.
“Teqja e Madhe e Gjakovës përcjellë indinjatën e thellë për aktin vandal e makabër të grabitjes në Teqe. Shuma e parave dhe gjërave tjera me vlerë, e grabitur në Teqe, ka qenë pjesë e kursimeve disavjeçare të Shehut të Teqesë së Madhe, familjes Shehu dhe besimtarëve, me qëllim të investimit në rindërtimin përfundimtar të objektit të Teqesë së Madhe në Marash-Hisar të Prizrenit. Shpresojmë që shumë shpejt organet e rendit dhe drejtësisë ta kryejnë punën e vetë dhe ta zbardhin në plotni këtë rast”, thuhet në reagim./Sinjali