Kriteret që Kryeministri Albin Kurti ka bënë për mbajtjen e zgjedhjeve në Veri të vendit po duken pak të realizueshme karshi kërkesave të ndërkombëtarëve. Opozita thonë se Kosova nuk është aktualisht në pozitën e favorshme për të parashtruar kushte
Kryeministri Albin Kurti është pajtuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, por paraprakisht ka vendosur disa kritere.
Ky proces, sipas tij, mund të organizohet vetëm pasi të arrestohen të dyshuarit për dhunën e fundmuajit të kaluar dhe të sigurohet fushatë e lirë zgjedhore.
Mirëpo, këto deklarime, sipas opozitës, janë të pamatura për një lider shtetëror.
“Kosova duhet të jetë e mençur dhe të rigjej forcë, duhet të ripozicionojë veten dhe vetëm kështu marrim pozitën që e kemi pasur deri më tash”, ka thënë Enver Hoxhaj nga PDK-ja.
Hoxhaj, duke folur nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit tha nuk dyshon në qëllimet e mira të Kryeministrit, por duhet kujdes dhe vëmendje për shtrirje të plotë të sovranitetit.
“Interesat bazike të Kosovës janë integriteti territorial, sovraniteti dhe paprekshmëria e kufijve dhe këto mund të ndodhë vetëm me partneritet të ngushtë me partnerët tanë amerikan. Sovraniteti shkon bashkë me aleancat”, ka thënë tuje ai.
Zgjidhja, sipas LDK-së, është mospërdorimi i politikave populiste të Kurtit.
“Në dialog dhe në shtrimin e sovranitetit nuk shkohet me kryeneçësi as me politike populiste dhe me demagogji për përfitime elektorale. Por me veprime të mençura dhe koordinuara me ata që edhe e kanë fuqinë që të na ndihmojnë në këtë rrugëtim”, ka deklaruar Armend Zemaj nga LDK-ja.
Televizioni Dukagjini ka pyetur ambasadën e Gjermanisë dhe Francës në rast se ka pranuar kriteret e Kurtit për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të vendit, por të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje./Dukagjini