Ikona e skenës shqiptare, Reshat Arbana, feston sot 84-vjetorin e lindjes.
Në ditëlindjen e “Artistit të Popullit”, nuk kanë munguar urimet nga artistë, gazetarë dhe personalitete të jetës publike ne Shqipëri.
Mes urimeve, edhe konstiticionalisti i njohur Shkëlqim Hajdari ka vlerësuar aktorin e madh.
Reshat Arbana njihet për mjeshtërinë dhe origjinalitetin në interpretim, por dhe për integritetin e lartë intelektual dhe qëndrimet e paanshme gjithnjë me karakter kombëtar. Ai ka interpretuar dhjetëra personazhe qe kane lënë gjurmë në filma dhe teatër.
Roli i parë i Arbanës ishte në 1963. Pasi mbaroi studimet në shkollën e aktrimit Aleksandër Mojsiu, pranë Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, në 1968 Arbana filloi të punonte në Radio Tirana.
Ndërkohë ndër rolet më të spikatura në film: Samiu tek “Fije që priten” 1976, Prefekti tek “Gjeneral gramafoni” 1978, Bimbashi tek “Liri a vdekje” 1979, Isa Boletini tek “Nëntori i dytë” 1982, Ahmeti tek “Dora e ngrohtë” 1983, Adnani tek “Hije që mbeten pas” 1985, Aliu tek “Binarët” 1987, Emili tek “Rikonstruksioni” 1988, Kuke Memini tek “Balada e Kurbinit” 1990.
Gjithashtu për rolet e Dajlan Beut tek “Kush vdes në këmbë” 1984 dhe kryetarit të këshillit tek “Kur hapen dyert e jetës” 1986 ka fituar Medalionin e Festivalit të Filmit më 1985 e 1987.
Nga 1977 deri në kohën e daljes në pension, ai punoi si aktor në Teatrin Kombëtar. Arbana është dalluar për interpretimin e tij mjeshtëror të roleve të tij. Për meritat e tij në aktrim ai ka fituar çmimin “Artist i Popullit”.
Më 7 tetor 2011 Presidenti i Republikës, Bamir Topi i akordoi zotit Reshat Arbana Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Aktorit të shquar të teatrit dhe kinematografisë, i cili me interpretimin mjeshtëror dhe origjinalitetin e tij u bë një artist popullor e shumë i dashur për publikun, rolet e të cilit kanë pasuruar me vlera të paçmueshme kulturën kombëtare.”
Ndryshe nga shumë kolegë të tij, Reshat Arbana nuk u mor me politikë dhe nuk mbështeti asnjë parti politike pas vitit ’90, duke ruajtur me fanatizëm identitetin e tij si aktor i roleve të mëdha.
Por përtej karrierës së tij në fushën e aktrimit, ai ka qenë dhe do të mbetet zëri më i bukur i dhjetëra poezive, prozave dhe veprave të mëdha të letërsisë shqipe dhe asaj botërore. Sot Reshat Arbana bën 84 vjeç, dhe vepra e tij peshon më shumë se vitet që mban mbi supe, për frymëzimin dhe padiskutim modelin e jashtëzakonshëm që sjell në shoqërinë shqiptare për të gjithë artistët e rinj. /Top Channel/