Aktori i “Sulejmani i Madhërishëm” dënohet me burgim me kusht

Aktori i famshëm turk, Halit Ergenç është dënuar me burgim me kusht për dhënien e dëshmisë së rreme në lidhje me organizimin e protestave të parkut Gezi në vitin 2013.

Sipas mediave turke, një gjykatë në Stamboll e dënoi Ergençin me burg për “përpjekje për të përmbysur qeverinë turke” dhe “pengim të funksioneve të saj”.

Ai i ka mohuar të gjitha akuzat.

Procedurat u nisën pasi prokurorët thirrën Ergençin dhe aktorin Riza Kocaoglu në një seancë të re dëgjimore në lidhje me agjenten Ayse Barim, e cila ndodhet në paraburgim që nga janari me akuzat për përpjekje për të përmbysur qeverinë turke.

Dyshohet se Barim u dha udhëzime aktorëve që ajo përfaqësonte që të mbështesnin publikisht protestat në parkun Gezi.

Gjatë gjyqit, Ergenç pretendoi se nuk kishte qenë në kontakt me organizatorët e protestës, përfshirë Memet Alabora dhe Ayse Barim. Por hetuesit gjetën prova që tregonin lidhjen e tij me ta, si dhe pamje filmike që konfirmonin praninë e tij në protesta.

Ergenç u dënua me 1 vit, 10 muaj e 15 ditë burg, ndërsa Kocaoglu mori një dënim prej 1 viti e 8 muajsh. Megjithatë, gjykata e shtyu shpalljen e vendimit, që do të thotë se dënimet nuk do të ekzekutohen nëse të dy burrat nuk kryejnë një vepër të re penale.

Të dy i mohuan akuzat dhe kërkuan lirim nga akuzat gjatë seancës dëgjimore.

Halit është një nga aktorët më të dashur dhe ai fitoi popullaritet në mbarë botën me rolet e tij në serialet “Një mijë e një netë” dhe “Sulejmani i Madhërishëm”.