Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas arrestimit të tre policëve të vendit nga policia serbe përgjatë së mërkurës.
Kurti, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se dyshon që të tre zyrtarët policorë janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, teksa shtoi se po e sheh si shenjë hakmarrjeje pas arrestimit të Millun Millenkoviq – Lune, të dyshuarit për sulm ndaj policisë dhe pjesëtarëve të KFOR-it, shkruan Gazeta Insajderi.
“Tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë”, deklaron ai.
“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës”, vijon deklarimin kreu i ekzekutivit.
Kurti ka përgëzuar policët e Kosovës për profesionalizmin, teksa ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre. Ai kërkoi edhe reagim nga ndërkombëtarët.
“Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë”, tha më tej kryeministri Kurti.
Emrat e policëve të Kosovës të arrestuarve janë Rifat Zeka, Beqir Sefini dhe Mustafa Shemi. /Insajderi