Apeli ia refuzon ankesën e mbrojtjes së Nagip Krasniqit, e lë në paraburgim

Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e mbrojtjes së kryeshefit të pezulluar të KEK-ut, Nagip Krasniqi, pasi i njëjti u la në paraburgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Lajmin për refuzimin e ankesës e ka konfirmuar avokati, Nusret Arifi nga Gjykata e Apelit.

“E ka refuzu ankesën e mbrojtësit”, tha Arifi.

Rrjedhimisht Apeli e ka lënë në paraburgim Krasniqin.

Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar një muaj paraburgim kryeshefit të KEK, Nagip Krasniqi, pasi dyshohet për kryerjen e tri veprave penale. Kundër këtij vendimi, mbrojtja e tij ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila më pas u refuzua.

Krasniqi u arrestua më 19 prill nën dyshimin e keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesit

Njësia e Veçantë e Hetimeve kishte bastisur zyrën e Krasniqit në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, “me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura”, ka njoftuar prokuroria.

“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, ka njoftuar prokuroria.

Disa ditë më vonë, Bordi i Drejtorëve të KEK-ut mori vendim për pezullimin e Nagip Krasniqit nga detyra e punës së kryeshefit ekzekutiv, me efekt të menjëhershëm./Sinjali