Kryetarja e Komunës së Preshevës Ardita Sinani sot ka qenë e pranishme në 147 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në mesin e shumë figurave politike e historike të kombit shqipëtar.
Ajo në postimin e saj në facebook ka njoftuar se “147 vjet më parë, në zemrën e Prizrenit, shqiptarët u bashkuan nën një ideal të madh: të mos lejojnë copëtimin e tokave tona, të mbrojnë identitetin dhe të ngrihen për dinjitetin kombëtar”.
Ky është postimi i plotë i Sinanit:
“147 vjet më parë, në zemrën e Prizrenit, shqiptarët u bashkuan nën një ideal të madh: të mos lejojnë copëtimin e tokave tona, të mbrojnë identitetin dhe të ngrihen për dinjitetin kombëtar.
Kështu lindi Lidhja Shqiptare e Prizrenit — zëri i parë i fuqishëm i bashkimit kombëtar.
Në ato ditë të rënda, burrat e dheut lanë mënjanë ndarjet fetare e krahinore dhe u bënë një, për një qëllim të shenjtë: ruajtjen e tokës shqiptare dhe të drejtave.
Edhe atëherë nuk munguan burrat që përfaqësuan Preshevën në Lidhjen e Prizrenit, duke e vulosur me pjesëmarrjen e tyre frymën e bashkimit.
Sot, pas 147 vitesh, kujtojmë me nder e krenari këtë akt madhështor dhe i kujtojmë vetes se Lidhja është gjallë!
Ajo frymë na udhëheq ende në rrugën tonë drejt lirisë, barazisë, rezistencës.
Për bashkim, për liri, për barazi, për rezistencë, për dinjitet e bashkim kombëtar — ashtu siç ëndërruan ata para nesh.
Lavdi Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”! 





