Banka Botërore me 365 milionë dollarë synon krijimin e vendeve të punës në Kosovë

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Grupit të Bankës Botërore diskutoi sot “Kornizën e re të Partneritetit me Vendin” për Kosovën për vitet fiskale 2023-2027.

Sipas njoftimit nga Banka Botërore, kjo kornizë do të mbështesë vendin të përshpejtojë konkurrueshmërinë për krijim më të madh të vendeve të punës dhe standarde më të mira të jetesës.

“Strategjia e re për Kosovën përvijon prioritetet për angazhimin e Grupit të Bankës Botërore në vend gjatë pesë viteve të ardhshme, të cilat do të kontribuojnë në efikasitet dhe cilësi më të madhe të shërbimit publik, më shumë vende pune formale në sektorin privat dhe rritje të qëndrueshmërisë mjedisore”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, Korniza e re e Partneritetit për Vendin, synon të ofrojë program gjithëpërfshirës të Grupit të Bankës Botërore për operacionet e huadhënies dhe shërbimet këshillimore dhe analitike.

“Projektet e huadhënies nga Shoqata Ndërkombëtare e Zhvillimit (IDA) do të mbështesin investimet në zhvillimin e fëmijërisë së hershme, forcimin e sektorit shëndetësor, gjelbërimin dhe pastrimin e vendeve të kontaminuara, krahas reformave të politikës fiskale, konkurrueshmërisë dhe rritjes së gjelbër. Zarfi indikativ i burimeve gjatë tre viteve të para të periudhës së KPV-së arrin në 127 milionë dollarë amerikanë financim nga IDA 20 dhe ofrohet me kushte koncesionare, me ngarkesa interesi zero ose shumë të ulëta dhe periudha të gjata të shlyerjes”, thuhet në njoftimin e Bankës Botërore.

Më tej, bëhet e ditur se në bazë të programit të përgjithshëm të kësaj kornize, do të përfshihet edhe portofoli me 11 projekte aktive të financuara nga IDA dhe Fondet e Mirëbesimit, me gjithsej 365 milionë dollarë amerikanë.

Në lidhje me këtë, drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoging Yu, tha se Kosova mund të përfitojë nga riorientimi i ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit, duke rritur punësimin cilësor për të gjithë dhe duke siguruar zhvillim të qëndrueshëm.

“Strategjia e re e Grupit të Bankës Botërore mbështet aspiratën e Kosovës për të arritur këtë transformim dhe për t’u integruar plotësisht në institucionet rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare”, tha ajo, transmeton Klankosova.tv.