Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka vizituar disa nga pikat kryesore historike të shtetit të Kosovës, më 03.09.2025.
Fillimisht ka nisur homazhet te Kompleksi Memorial i familjes Jashari në Prekaz, e më pas ka bërë nderime në Velani të Prishtinës te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.
Nderimet në cilësinë e kryeparlamentarit, ai i ka përfunduar te Memoriali “Heroinat” në kryeqytet.
“Me përulësi dhe nderim të thellë, mëngjesin e sotëm, bashkë me nënkryetaren znj. Albulena Haxhiu, e filluam me homazhe në Prekazin e lavdisë mbarëkombëtare, vendin ku liria jonë mori kuptimin më të thellë, falë sakrificës sublime të Familjes Jashari”- ka shkruar ai në Facebook.
Basha tha se heroizmi i Komandantit Adem Jashari dhe 58 anëtarëve të familjes së tij, është themeli mbi të cilin u ngrit çlirimi dhe pavarësia e Kosovës.
“Prekazi mbetet përjetësisht burim frymëzimi për vetëdijen tonë kombëtare, për unitetin dhe përkushtimin tonë ndaj atdheut”- shtoi ai.
Pas Prekazit heroik, Basha tregoi se ka vazhduar me nderime te “Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova, i cili shtriu rrugën drejt shtetësisë sonë dhe e kishte të qartë se kompromisi i vetëm ishte Pavarësia, dhe asgjë më pak”.
Kurse për veprimtarin Adem Demaçi, ai tha se ishte një nga pishtarët më të ndritshëm të lirisë, shembull i një qëndrestari të paepur i cili guxoi gjatë tërë jetës së tij.
“Burgimi i tij shërbeu si simbol i rezistencës për popullin tonë, që pastaj u vlerësua edhe me Çmimin Sakharov, ndarë nga Parlamenti Evropian në vitin 1991”- shtoi Basha.
Në fund, ai ka bërë homazhe te Memoriali “Heroinat”duke përkujtuar mbi 20,000 gra shqiptare të dhunuara gjatë luftës nga regjimi i Millosheviqit.
“Dhunimi ndaj tyre u përdor si armë lufte kundër popullit tonë dhe kjo mbetet një nga plagët më të rënda. Nderimi ynë për to është i përjetshëm, ndërsa kjo plagë nuk mund të shërohet asnjëherë derisa të arrihet drejtësia e plotë”- ka shkruar ai.
Basha në këto vizita ishte i shoqëruar nga nënkryetarja Albulena Haxhiu.
Prej kur u zgjodh Kryetar i Kuvendit, ai u kritikua për një artikull në bashkautorësi, ku pati akuza ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai mohoi duke thënë se nuk e ka shkruar atë kapitull, duke kërkuar falje që emri i tij është vendosur në bashkëautorësi në një punim të tillë.
Basha tha se ka kërkuar që të tërhiqet nga punimi kapitulli dhe emri i tij.
“Unë në vitin 2012 kur kam qenë student, sikurse të gjithë studentët kemi dorëzuar hulumtime për publikim. Unë atëherë kam bërë hulumtim për depërtimin e islamit fundamentalist ne Europën Juglindore, por që ka pasur në fokus Kosovën. Unë kam dërguar hulumtimin që lidhet me ketë temë dhe këtu përfundon përgjegjësia ime në punimin në fjalë” – tha Basha.
Artikulli në fjalë i publikuar në vitin 2012 ka gjithsej katër kapituj, ‘Shpërbërja e Jugosllavisë’, ‘Rritja e krimit të organizuar ndërkombëtar’, ‘Zgjerimi i Islamit radikal’ dhe ‘Globalizimi, konflikti kulturor dhe tendosja ekonomike: një diskutim’.
Artikulli ka zgjuar diskutim në Kosovë për shkak të përmbajtjes së tij.
Në kapitullin dy të këtij artikulli thuhet se “ka pasur akuza të shumta nga agjencitë perëndimore të zbatimit të ligjit se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), gjatë ngritjes së saj, bashkëpunoi me kriminelë etnikë shqiptarë brenda dhe jashtë Kosovës”… “Sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në vinin nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, si dhe nga trafikantë droge që vepronin në të gjithë Europën Perëndimore dhe SHBA-në. Kjo mbështetje nuk kufizohej vetëm në para, por trafikantët e drogës dërgonin gjithashtu njerëz të armatosur për të luftuar përkrah UÇK-së dhe blinin armë në emër të UÇK-së”.