BE propozon paketën e 12-të të sanksioneve kundër Rusisë

BE do të prezantojë të mërkurën paketën e 12-të të sanksioneve kundër Rusisë.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, njoftoi se Komisioni duhet të propozojë këtë paketë, e cila rezulton të jetë e dymbëdhjeta sa i takon sanksioneve kundër Rusisë.

Borrell, pas takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së, tha se Komisioni mund të vendosë për këtë propozim në mbledhjen e të mërkurës dhe ta dërgojë atë për miratim në Këshillin e BE-së.

“Paketa e re e 12-të do të përfshijë ndalime të reja të eksportit, ndër të tjera, për diamantët, pastaj hapa të rinj për të kufizuar çmimet e naftës për të reduktuar të ardhurat e Rusisë nga shitja e naftës dhe masa të reja kundër shmangies së sanksioneve”, tha Borrell.