Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli,ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka luajtur rol të rëndësishëm në lirimin e tre policëve të Kosovës
Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, njëherësh kryetar i Aleancës Kosova e Re, ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka luajtur rol të rëndësishëm në lirimin e tre policëve të Kosovës të kidnapuar nga forcat serbe më 14 qershor.
Në një postim në Twitter, Pacolli merita i ka atirubuar edhe Richard Grenell, ish-bashkëpunëtorit të ngushtë të ish-presidentit amerikan Donald Trump.
“Një e vërtetë e panjohur në lirimin e Policisë së Kosovës nga paraburgimi i Serbisë është roli i kryeministrit shqiptar Edi Rama në harmoni të plotë me Richard Grenell, ish-bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Trump. Kjo ishte edhe arsyeja e vizitës së tij në rajon. Kjo meriton një falënderim të madh dhe për të gjithë ata që kontribuan në këtë rast”, shkroi Pacolli.
Tre policët – Beqir Sefa, Shemë Mustafa dhe Rifat Zeka – ishin të ngarkuar me veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënim me burg deri në 12 vjet.
Atyre iu shqiptua masa e paraburgimit më 16 qershor, por nuk ishte e qartë kohëzgjatja e saj.
Arrestimi i tre policëve nxiti reagime të shumta si në Kosovë, ashtu edhe te bashkësia ndërkombëtare, e cila kërkoi vazhdimisht lirimin e tyre./Dukagjini