Punonjësit në Belgjikë së shpejti do të jenë në gjendje të zgjedhin nëse duan të punojnë katër ditë në javë, e kjo falë një serie reformash të tregut të punës të shpallura së fundi.
Paketa e reformave, me të cilët u pajtua koalicioni qeveritar shumëpartiak i vendit, do t’u japë gjithashtu punëtorëve të drejtën të fikin telefonat e punës dhe të injorojnë mesazhet që lidhen me të pas orarit zyrtar, pa frikën e hakmarrjes së drejtuesve.
“Përjetuam dy vite mjaft të vështira. Me këtë marrëveshje, ne ngritëm një pishtar për një ekonomi që është më inovative, e qëndrueshme dhe dixhitale. Qëllimi është të jemi në gjendje t’i bëjmë njerëzit dhe bizneset akoma edhe më të fortë,” deklaroi kryeministri belg Alexander de Croo.
Parashikohet po kështu një mbrojtje më e fortë ligjore për punonjësit sipas rregullave të reja, ndërsa atyre që do të jenë në punë me kohë të plotë, do t`u krijohet mundësia e orareve më fleksibël sipas kërkesës.
Kthimi i kësaj reforme në ligj mund të zgjasë për disa muaj, pasi drafti duhet të kalojë shumë herë në duart e ligjvënësve federale përpara se të miratohet.
Një pjesë e konsiderueshme e reformave të reja të punës në Belgjikë mendohet se do të ndikojnë në ekuilibrin mes punës dhe jetës së punonjësve si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat./tch