Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), ka publikuar një shkrim për vizitën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit në Berlin.
Sipas FAZ, mbështetja tek Komiteti i Ministrave të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës nuk është aq qartë sa në Asamblenë Parlamentare të KiE ku u rekomandua pranimi.
Sipas gazetës Kurti ka thënë se Asociacioni mund te themelohet nga vetë serbët sepse Qeveria s’mund ta imponojë atë pasi do te ishte shkelje e parimeve të Këshillit të Evropës dhe Kushtetutës së Kosovës. BE ka propozuar draft-statut për Asociacionin, por FAZ përmend se QUINT( pesë vendet perëndimore) kanë propozuar po ashtu.
Por, gazeta gjermane thekson se në komunat veriore nuk janë zgjedhur as kryetarët e rinj dhe kjo sipas shkrimit është bërë qëllimshëm si kurth për të bllokuar Asociacionin dhe integrimin e Kosovës në KiE.
“Beogradi i ndalon politikanët serbë të ndërmarrin iniciativa premtuese për të krijuar një asociacion të komunave ose të mbështesin propozime që janë në përputhje me Këshillin e Evropës, ndërsa në të njëjtën kohë ankohen me zë të lartë për mungesën e atij asociacioni.”
“Në Beograd është krijuar një justifikim i përsosur për diplomacinë serbe për të penguar integrimin e Kosovës në Perëndim. Me dorën e majtë Kosovës po i vihen kushte, e djathta po siguron që ato të mos plotësohen”, shkruan tutje gazeta gjermane.
Pikërisht për këtë, shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung se politikanë të SPD kanë sugjeruar që të evitohet kurthi i Vuçiqit.
“Në mënyrë që të plotësohet kërkesa e Quintit, në Berlin pati gjithashtu diskutime nëse propozimi për një asociacion serb të komunave mund t’i dorëzohej tani për shqyrtim juristëve kushtetues të Këshillit të Evropës. Kjo mund të jetë një rrugëdalje nga kurthi serb, sipas politikanëve të SPD-së në Berlin”.
QUINT ka kërkuar që draft-statuti i Asociacionit te dërgohet për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese si një hap i Qeverisë Kurti për themelimin e Asociacionit që do t’i bindte vendet anëtare ta japin votën e tyre pro Kosovës për anëtarësim në KiE. Kërkese të njëjtë ka bërë edhe Presidenti i Francës Emmanuel Macron.