“Ne kemi filluar me temën e Luginës së Preshevës, ku kemi problemin e bllokimit të shpërndarjes së mjeteve për fermerët në Luginën e Preshevës, dhe në këtë moment pala serbe e ka ndërpre diskutimin sepse ata mendojnë që ne nuk duhet të kujdesemi për fermerët në Luginë dhe nuk duhet të sigurojmë që ata i marrin këto fonde.” – tha ai.
Bislimi është pyetur edhe për nisjen e gërmimeve për personat e pagjetur në afërsi të Novi Pazarit ditëve të fundit.
Sipas tij, në vitin 2024 Kosova ka përmbushur pothuajse të gjitha obligimet e marra për personat e pagjetur, ndërsa Serbia ka patur zero progres dhe i gjithë kompromisi i tyre ka qenë që lista e obligimeve të tyre për vitin 2024, të kalojë si obligime të vitit 2025, por edhe në këtë nuk ka patur fare progres.
“Ajo që ka ndodhur është që në korrik dhe gusht të këtij viti ka patur ngjarje të mëdha bash në territorin ku është dashur të ketë gërmime dhe ne dyshojmë se këto janë bërë me qëllim të zhdukjes së dëshmive dhe vetëm para dy-tri ditëve ata kanë tregu gatishmëri që të fillojnë gërmimet në Kozhle në regjionin e Novi Pazarit. Por progres tjetër nuk ka patur.” – ka treguar Bislimi.
Sa i përket reagimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila e kontestoi shkuarjen e Bislimit në Bruksel për dialogun, pasi vlerësuan se “Dialogu nuk mund të udhëhiqet nga improvizime partiake të një qeverie pa mandat”, Bislimi është përgjigjur: Pak është interesant që ky budallëk ka mbërrit edhe në Bruksel.
“Unë jam zëvendëskryeministër në detyrë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i ngarkuar mes tjerash edhe me temën e dialogut. Mandatin ma ka dhënë qeveria e mund të ma marrë qeveria. Nuk ma ka dhënë Lidhja Demokratike e Kosovës, as nuk mund të ma marrë Lidhja Demokratike e Kosovës, andaj gjithçka tjetër është e palogjikshme ngjashëm me shumicën e qëndrimeve të këtij subjekti politik dhe subjekteve të tjera që po hasim në muajt e fundit.” – ka shtuar ai.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, më 10.09.2025, zhvilloi një inspektim e më pas filluan edhe punimet në fshatin Kozhle të komunës së Novi Pazarit në Serbi, pas dyshimeve se në këtë zonë mund të ndodhet një varr masiv me persona të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Sipas Komisionit, ky lokacion ka qenë i planifikuar për t’u trajtuar qysh në vitin e kaluar, por pas disa ditësh përgatitjeje terreni, punimet ishin ndërprerë.
“Lokacioni në Kozhle është një nga lokacionet e adresuara në mënyrë të përsëritur gjatë takimeve zyrtare, krahas kërkesave të vazhdueshme për rikthim me prioritet në Batajnicë dhe lokacionet e tjera tashmë të shënjuara,” – thuhet në njoftimin zyrtar të datës 9 shtator 2025.
Ekipi i KALLXO.com më 10.09.2025 ka qëndruar në vendin i cili gjendet afër një deponie të mbeturinave. Ndonëse ekipi nuk u lejua nga Policia që të afrohet afër punimeve që po kryheshin, nga një pozicion pak më i largët shihej makineria që veçse kishte filluar punimet fillestare, të cilat pritet që të zgjasin rreth dy javë.
Valon Hyseni nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës, për KALLXO.com tha se pritet që të gërmohet 14 deri në 15 metra thellë për t’u gjetur një pjesë e betontë që ka qenë afër një shtëpize, ku edhe dyshohet se mund të jenë mbetjet mortore.
“Këtu shihet që është një deponi e mbeturinave ku Novi Pazari, Tutini dhe Rashka kanë hedhur mbeturina për thuajse 26 vjet rrjesht. Deklaratat nga dëshmitarët janë që gjatë periudhës së luftës kanë pa disa kamionë që kanë ardhë këtu dhe ka dyshime të bazuara që mund të ketë mbetje mortore nga lufta e fundit, në këtë lokacion” – deklaroi Hyseni.
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, deklaroi për KALLXO.com se në këtë vend ka pasur edhe zjarre, gjë e cila i ka shtyrë punimet të cilat planifikoheshin të fillonin në korrik të këtij viti.
Në anën tjetër, herën e kaluar kur Qeveria poshtu ishte në detyrë, por Bislimi mori pjesë në takime në Bruksel, KALLXO.com u mundua të marrë një përgjigje nga Bashkimi Europian se sa i marrin parasysh fjalët e zëvendëskryeministrit në detyrë, duke marrë parasysh që Kosova nuk ka as Qeveri me mandat të plotë e as Kuvend funksional, mirëpo ata u thirrën në përgjigjen e zëdhënësit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë në Bashkimin Europian, Anouar El-Anouni, të cilin e dha më 02.06.2025, si dhe në një postim në X të Përfaqësuesit të Lartë të BE- së për Dialogun, Peter Sorensen.
El-Anouni u përmbajt nga informatat e shumta gjatë përgjigjes së tij, kur u pyet se cili është qëllimi i këtij takimi, pasi që Kosova për momentin nuk ka Qeveri dhe se a presin ndonjë rezultat në lidhje me Marrëveshjet dhe të ecin përpara në Dialog.