Borrell: I bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të rrisin vullnetin për marrëveshje

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s në sesion paraprak kanë folur për Ballkanin Perëndimor.

Ai tha se EULEX dhe KFOR do të vazhdojnë të bashkëpunojnë për të siguruar stabilitet në veri të Kosovës, përfshirë kufirin me Serbinë.

“Në këtë sesion ne folëm për Ballkanin Perëndimor. Ju e dini se sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor për Bashkimin Europian. Stabiliteti i tyre, prosperiteti dhe përshtatja me politikën e jashtme është shumë e rëndësishme për ne. Më lejoni të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit mes BE-së NATO-s në Kosovë, në veri. Misioni ynë i EULEX-it është i pozicionuar dhe ka një bashkëpunim të fortë me KFOR-in dhe po përballen me momente të vështira. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë stabilitet në këtë pjesë të Kosovës dhe në kufirin me Serbinë”.

Ai tha se EULEX është duke luajtur një rol të rëndësishëm në këtë drejtim dhe se do të vazhdojë ta bëjë të njëjtën.

Gjithashtu, Borrell pati edhe një thirrje për Kosovën e Serbinë që të angazhohen për marrëveshjen e arritur së fundi.

“I bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të rrisin vullnetin për marrëveshje për rrugën e tyre europiane”.

Borrell tha se edhe në Bosnjë e Hercegovinë BE-ja dhe NATO-ja duhet të bashkëpunojë për të ruajtur paqen.