Shefi për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell është deklaruar pas përfundimit të takimeve të tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, shkruan Gazeta Sinjali.
Borrell tha se duhet të mbahen zgjedhjet e reja sa më shpejt, teksa e përmendi edhe kushtin e Kurtit për lirimin e tre policëve kosovarë që u rrëmbyen nga Serbia.
Ai tha se ia ka theksuar Vuçiqit se policët kosovarë që po mbahen Serbi duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte.
“Takimi i sotëm është fokusuar te ajo se si të shtensionohet situata në terren, me hapa konkretë dhe si të organizohen zgjedhjet e reja dhe të kthehemi në tryezën e dialogut.
Dy liderët e kuptojnë peshën e situatës, por që kanë qasje të ndryshme të shkaqeve dhe efekteve e pasojave, e zgjidhjeve.
Jemi pajtuar për nevojën për zgjedhje të reja dhe kemi diskutuar modalitete se si të arrihet atje.
a kam theksuar presidentit Vuçiq që tre policët e mbajtur në Serbi duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte.“, tha Borrell, raporton Sinjali.
Borrell, dhe i dërguari evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, kanë zhvilluar të enjten “një seri takimesh për menaxhimin e krizave”, fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe më vonë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Të enjten nuk është zhvilluar asnjë takim i përbashkët mes Kurtit dhe Vuçiqit.
Vuçiq gjatë një konference për media ka thënë se nuk do të takohet me Kurtin sepse nuk “sheh arsye për këtë”.
Lidhur me zgjidhjen e situatës në Kosovë, Vuçiq ka thënë se ka frikë se “çdo gjë ka shkuar shumë larg”./GazetaSinjali