Drejtori i Përgjithshëm i Volkswagen, Oliver Blume, ka folur në një konferencë shtypi për media në Berlin për automjetin elektrik më të lirë, i cili është në planet e kompanisë. Zhvillimi i tij nuk do të jetë i shpejtë dhe varet nga bateria, pra ulja e kostove të baterisë. Ai nuk e ka përmendur një vit të caktuar, por ka thënë se mund të presim automjete elektrike VW me një çmim prej rreth 20 mijë euro në gjysmën e dytë të kësaj dekade.
Ralf Brandstaetter, shefi i kompanisë për tregun kinez thotë se deri në vitin 2026 mund të presim deri në katër modele të bazuara në këtë arkitekturë me një gamë çmimesh prej 19,000 deri në 22,000 euro. Brandstaetter thotë se duhet t’i përshtatnin planet e tyre me tregun kinez të ndjeshëm ndaj çmimeve, por duket se këto makina më të lira do të synohen vetëm për tregun kinez.
Platforma e re do të bazohet në platformën aktuale MEB të Volkswagen, e cila fuqizon automjetet më të reja elektrike të kompanisë, por për t’i ulur kostot, do të përdoren pjesë nga prodhuesit vendas. Falë platformës AMP, divizioni kinez i Volkswagen do të jetë në gjendje të lëshojë modele të reja çdo dy vjet e gjysmë, në vend të katër vjetëve, që është koha mesatare midis prezantimit të modeleve të reja sot. Do të jetë interesante të shihet se çfarë opsionesh do të ketë VW elektrike me një çmim prej 19,000 euro dhe si do të konkurrojë në atë treg
Duke marrë parasysh se VW gjeneron pothuajse gjysmën e të ardhurave të saj në tregun kinez, është e qartë se sa e rëndësishme është Kina për ta dhe se ata do të bëjnë gjithçka që munden për ta mbajtur një pjesë sa më të madhe të tregut, gjë që nuk do të jetë e lehtë me një numër në rritje i prodhuesve kinezë të automjeteve elektrike, popullariteti i të cilëve po rritet edhe në Europë./Arena EV