Partitë opozitare shqiptare në Bujanoc sot njëzëri kanë dalur me një komunikat të përbashkët rreth ndodhive dhe takimeve të ditëve të fundit mes partive shqiptare të inicuar nga Organizata e Veteranëve të luftës së UÇPMB-së.
“Nën patronatin e Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇPMB-së, e me qëllim të ndërtimit të një bashkëpunimi mbrenda subjekteve politike shqiptare në Bujanoc, ditëve që po i lëmë pas u mbajtën dy takime të përfaqësuesve politik shqiptar në Bujanoc”.
Në këtë komunikat thuhet se kryetari aktual i Komunës së Bujanocit ka refuzuar të udhëheq komunën me partit shqiptare përderisa ka preferuar të vazhdoj të bashkëqeverisjen me SNS-in.
“Arbër Pajaziti refuzoi shumicën gjithshqiptare – zgjodhi të vazhdojë bashkëqeverisjen e tij me SNS-in”!
Kjo është Komunikata e tri partive opozitare shqiptare:
“KOMUNIKATË E PËRBASHKËT E PARTIVE POLITIKE SHQIPTARE (LPD, PD, PVD)
Arbër Pajaziti refuzoi shumicën gjithshqiptare – zgjodhi të vazhdojë bashkëqeverisjen e tij me SNS-in!
Nën patronatin e Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇPMB-së, e me qëllim të ndërtimit të një bashkëpunimi mbrenda subjekteve politike shqiptare në Bujanoc, ditëve që po i lëmë pas u mbajtën dy takime të përfaqësuesve politik shqiptar në Bujanoc.
Në takimin e parë të mbajtur më 5 Maj, në orën 14:00, në hapsirat e Restorant “Rozafa” në Bujanoc, nën organizimin e udhëheqësve të OVL-së së UÇPMB-së, u takuan përfaqësuesit e partive politike shqiptare.
Opozita shqiptare (LPD, PD, PVD) u përfaqësua nga Shqiprim Musliu, Ahmet Mustafa, Sali Salihi, Jetmir Memeti dhe Enver Ramadani ndërsa Frontin për Ndryshim në këtë takim e përfaqësoi Arbër Pajaziti, Levent Qazimi dhe Enes Selimi.
Edhe pse të ftuar, në takim nuk morrën pjesë përfaqësuesit e Unionit Demokratik Shqiptar (Adem Hasani) dhe Lëvizjes për Bujanocin (Driton Rexhepi).
Qëllimi i kësaj nisme ishte i qartë që nga fillimi. OVL kishte ftuar partite politike shqiptare për të bërë përpjekjet e përbashkëta për ta shpëtuar Bujanocin nga një koalicion, i cili me të drejtë po konsiderohet si i dëmshëm për shqiptarët e komunës së Bujanocit.
Duke u pajtuar me konstatimin se përderisa në Bujanoc po vazhdon të qëndroj në pushtet SNS ndërsa Qeveria qëndrore nga Beogradi po vazhdon me diskriminimin e skajshëm të shqiptarëve të Luginës, duke e konsideruar se koalicioni aktual që po udhëheq me Bujanocin është i dëmshëm për shqiptarët, duke vlerësuar se pushteti ku 40% iu është dhënë partive politike serbe, ndërsa me regjistrimin e fundit në Bujanoc jetojnë jo më shumë se 28% serb, është i papranueshëm dhe duke shprehur shqetësimin për zëvendësimin e përditshëm të punëtorve shqiptar me punëtor nga komunitet tjera në institucionet komunale, opozita shqiptare përveç që iu përgjigjë ftesës për takim shprehi edhe vullnetin e sajë politik dhe përpiloi ofertë konkrete për Frontin për Ndryshim!
Oferta politike e cila i ofronte Frontit për ndryshim mbështetjen blanko të të gjithë subjekteve politike opozitare për të ndërtuar një shumicë gjithëshqiptare dhe me të cilën kërkohej përjashtimi i SNS-it dhe subjekteve tjera nga koalicioni aktual, u nënshkrua nga tre kryetarët e partive politike opozitare.
Në takimin e dytë, të mbajtur me 7 maj, me fillim prej orës 14:00, në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc, opozita shqiptare dhe delegacioni i sajë të cilën e kryesonte kryetari i LPD Shqiprim Musliu i dorëzoi ofertën konkrete kryetarit të OVL Bejtullah Bejtullahu dhe kryetarit të komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti.
Me të lexuar dokumentin e nënshkruar nga kryetarët e partive politike shqiptare në të cilin shihej përkrahja e ndërtimit të një koalicioni gjithshqiptarë, përfaqësuesi i Frontit për Ndryshim, njëherit kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti, i ndodhur në një situatë “merre ose leje” dhe i sfiduar që përfundimisht të heq dorë nga bashkëqeverisja e tij me SNS-in e Aleksandar Vuçiqit, nuk pranoi të nënshkruaj të njejtin dhe u largua nga takimi.
Sipas tij, për të, do të ishte e pranueshme që të bashkëpunojë me vetëm njërën nga subjektet politike shqiptare por që në asnjë mënyrë nuk do të pranonte bashkëpunimin i cili do të siguronte së paku 21-shin shqiptarë!
Kjo më së miri vërteton faktin se kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti, nuk ka as interesimin e as guximin për të bashkëqeverisur me shqiptarët. I njejti, partneritetin me SNS-in dhe partitë tjera serbe e sheh si mundësinë e vetme me të cilët dëshiron të vazhdojë qeverisjen e tij multietnike.
Për të, nuk është i rëndësishëm as diskriminimin permanent i shtetit ndaj shqiptarëve, as largimi i shqiptarëve nga puna, as mungesa e ndihmesës finansiare nga qeveria e as ngecja e zhvillimit të Bujanocit në përgjithësi. Për Arbërin, siç u pa, rëndësi të vetmen ka qëndrimi i tij besnik ndaj partnerëve të tij strategjik serb.
Shqiptarëve të Bujanocit, edhe në majin e këtij viti, njejt sikur në qershorin e korrikun e vitit të kaluar, ua mohoi të drejtën që të qeverisën nga shqiptarët”.
