Bujanoc: Mbahet Seanca e XIII-të e Këshillit Komunal, miratohet llogaria përfundimtare e vitit 2024

Eshtë mbajtur seanva e 13-të e Këshillit Komunal të Bujanocit, gjatë së cilës është aprovuar llogaria përfundimtare e vitit 2024, programi për mbështetje të politikave bujqësore, komisioni për dhënie me qira tv tokës bujqësore dhe një nga vendimet e rëndësishme të kësaj seance ishte edhe aprovimi i komisionit për sport, i cili do të menaxhojë financimin e klubeve sportive për vitin 2025 në vlerë prej 7 milionë dinarësh.
Kështu ka shkruar kryetari Arbës Pajaziti në faqen e tij në facebook sot:
“Sot zhvilluam Seancën e XIII të Këshillit Komunal të komunës sonë, ku adresuam disa nga çështjet më të rëndësishme për funksionimin dhe zhvillimin e Bujanocit.
Në fillim të seancës miratuam llogarinë përfundimtare të buxhetit për vitin 2024, si një hap thelbësor për transparencën dhe menaxhimin financiar të përgjegjshëm. Ky dokument na jep pasqyrën e qartë për mënyrën se si janë realizuar të hyrat dhe shpenzimet gjatë vitit të kaluar.
Po ashtu, u miratua programi për mbështetjen e politikave bujqësore dhe zhvillimit rural për vitin 2025, me fokus të veçantë në përmirësimin e kushteve për fermerët dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale. Në këtë drejtim, u aprovua edhe rregullorja mbi mënyrën e shfrytëzimit të mjeteve buxhetore në sektorin e bujqësisë, për të garantuar ndarjen e drejtë dhe transparente të mbështetjes financiare.
Diskutuam dhe miratuam edhe aktivizimin e komisionit për dhënien me qira të tokës bujqësore në pronësi shtetërore, duke synuar shfrytëzimin më efikas të kësaj prone në interes të zhvillimit lokal.
Po ashtu, u trajtua dhe u miratua kërkesa për marrjen e certifikatës mbi karakteristikat energjetike për një pjesë të veçantë të një ndërtese komunale, si dhe u shqyrtuan kërkesat e Gjykatës Themelore në Bujanoc dhe të Medresesë së Luginës së Preshevës.
Një nga vendimet e rëndësishme të kësaj seance ishte edhe aprovimi i komisionit për sport, i cili do të menaxhojë financimin e klubeve sportive për vitin 2025 në vlerë prej 7 milionë dinarësh. Kjo është një mbështetje konkrete për sportin lokal dhe klubet që përfaqësojnë komunën tonë me dinjitet në gara të ndryshme.
Përkushtimi ynë për zhvillim të balancuar, transparencë dhe përfshirje të të gjitha sektorëve të jetës publike mbetet prioritet”.