Bujanoc: Mbahet seanca e dytë e Shtabit për Situata të Jashtëzakonshme

Në Komunën e Bujanocit sot është mbajtur senca e dytë e Shtabit për situata të Jshtëzakonshme, me ç’rast u diskutua për rritjen e temperaturave gjatë sezonit veror përgatitjen dhe përballjen me këto temperatura.
Kështu ka shkruar kryetari i Komunës së Bujanocit Arbër Pajaziti “Sot zhvilluam seancën e radhës të Shtabit për Situata të Jashtëzakonshme, ku në fokus patëm përgatitjet për përballjen me temperaturat e larta që na presin në ditët në vijim”.
Pajaziti ka theksuar se është diskutuar edhe për masat preventive  dhe që Komuna dhe të gjitha institucionet si “Komunali”  të jenë të gatshme për furnizimin me ujë të pijshëm gjatë kësaj vere dhe se Deponia e qytetit sëshpejti do jetë funksionale.
Ky është postimi i Pajazitit në faqen e tij në facebook:
“Kujdes i shtuar për temperaturat tropikale që na presin
Sot zhvilluam seancën e radhës të Shtabit për Situata të Jashtëzakonshme, ku në fokus patëm përgatitjet për përballjen me temperaturat e larta që na presin në ditët në vijim.
Vura në dukje rëndësinë e masave preventive dhe theksova nevojën që të gjitha shërbimet komunale dhe institucionet përgjegjëse të jenë në gatishmëri të plotë, në mënyrë që të reagojmë me kohë dhe me efikasitet në çdo situatë të mundshme.
Në aspektin e furnizimit me ujë, qytetarët duhet të dinë se situata do të përmirësohet ndjeshëm. Që nga sonte, dy puse të reja do të vihen në funksion dhe kjo do të ndikojë dukshëm në përmirësimin e furnizimit me ujë në ditët në vazhdim.
Gjithashtu, shumë shpejt deponia komunale do të jetë plotësisht funksionale, pasi jemi në fazën përfundimtare të pranimit teknik të kyçjes së ujit dhe rrymës. Në rast të ndonjë djegie të mundshme, do të kemi kapacitetet për të ndërhyrë me shpejtësi. Në këtë zonë do të vendosim edhe kamera sigurie, me qëllim të monitorimit të vazhdueshëm dhe parandalimit të incidenteve.
Shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes maksimal dhe të shmangin ndezjen e zjarreve në pyje, fusha dhe hapësira të hapura, pasi temperaturat e larta rrisin rrezikun e përhapjes së zjarreve në mënyrë të pakontrolluar.
Vetëm me bashkëpunim dhe përgjegjësi të përbashkët mund ta kalojmë këtë periudhë me sa më pak rreziqe”.