“Cassano, ti ishe ende me biberon kur ne fitonim titullin! Maradona s’i donte tipat si ti”





Antonio Cassano shkakton gjithmonë polemika me deklaratat e tij të drejtpërdrejta. Pasi i kërkoi publikisht Cristiano Ronaldos të tërhiqej nga futbolli dhe akuzoi Erling Haaland se nuk është futbollist, ish-talenti i futbollit italian ka komentuar titullin e parë të fituar nga Napoli.

Klubi italian ka fituar dy herë Serie A (1987, 1990) nën udhëheqjen e Diego Maradonës. “Maradona fitoi i vetëm te Napoli, ai kishte shokë skuadre njerëz që ishin arratisur nga shtëpitë e tyre”, deklaroi Cassano, ndërkohë që nuk ka munguar reagimi nga ish-lojtarë të Napolit.

Ciro Ferrara ishte pjesë e ekipit që fitoi dy tituj kampionë. Ish-mbrojtësi i njohur ka reaguar ashpër ndaj Cassanos: “Përshëndetje Antonio! Ti flet për gjëra që padyshim nuk i njeh mirë. Më 10 maj 1987, ndërsa ne fitonim titullin e parë në historinë e Napolit, ti akoma nuk i kishte mbushur 5 vjeç dhe ishe ende me biberon në gojë.

Hesht, pasi është më mirë ta mbyllësh gojën. Diego nuk do të kishte dashur kurrë një ‘fenomen’ si ti në dhomat e zhveshjes. Firmosur nga një jo i arratisur nga shtëpia”, shkruan Ferrara në rrjetet sociale.