Autoritetet në Serbi vendosën që ta pezullojnë eksportin e armëve të prodhimit vendor për një muaj.
Pa ofruar shumë detaje dhe informacione, zyrtarët dolën para publikut me deklarata për përgatitje në rast agresioni.
Në Serbi funksionojnë disa fabrika që prodhojnë armë dhe pajisje ushtarake.
Sipas të dhënave të fundit të disponueshme për vitin 2021, përeksportin e armëve dhe të pajisjeve ushtarake janë dhënë 371 licenca, me një vlerë totale prej 1.23 miliard dollarësh.
Në mesin e destinacioneve më të rëndësishme të eksportit në vitin 2021 ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës – 634.19 milionë dollarë, ose 52 për qind; Arabia Saudite – 142.65 milionë dollarë, ose 12 për qind; Qiproja – 87.58 milionë dollarë, ose 7 për qind.
Edhe pse zyrtarët serbë kanë thënë shpesh se Serbia ka mundësi të mëdha për eksport armësh, Qeveria e këtij vendi, në mes të korrikut, miratoi vendimin për pezullimin për një muaj të eksportit të armëve dhe pajisjeve ushtarake, të prodhuara në Serbi.
Pas skadimit të këtij afati u tha se do të bëhen analiza të reja dhe se do të vendoset nëse është i nevojshëm vazhdimi i pezullimit.
Nikolla Lluniq, drejtor ekzekutiv i Këshillit joqeveritar për Politika Strategjike, me seli në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se prodhimi i armëve dhe pajisjeve ushtarake përfaqëson një ekuilibër midis normave etike, interesave ekonomike dhe zhvillimore-teknologjike, por edhe pasojave sociale dhe të sigurisë.
“Në kohën kur prodhimi i mbrojtjes po rritet në të gjithë botën, kur NATO-ja miraton Planin e Veprimit të Prodhimit të Mbrojtjes dhe BE-ja harmonizon marrëveshje për rritjen e kapaciteteve prodhuese, Serbia duhet të kujdeset për mbushjen e rezervave të saj të luftës dhe rimbushjen e depove, për të përmirësuar konceptin e mbrojtjes dhe parandalimit”, thotë Lluniq.
Sipas tij, industria e mbrojtjes e Serbisë nuk do të ketë humbje financiare nga ky vendim.
“I gjithë prodhimi do të paguhet. [Serbia] mund të humbasë eventualisht disa partneritete me klientë të vjetër”, thekson Lluniq.
Drejtori i Institutit për Siguri Kombëtare dhe Ndërkombëtare në Serbi, Darko Trifunoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se është i befasuar me vendimin për ndërprerjen e eksporteve të armëve për një muaj.
“Unë nuk kam dëgjuar dhe nuk kam gjetur në ndonjë analizë krahasuese se dikush vendos pezullim për një muaj. Pezullimet janë afatgjate”, thotë Trifunoviq.
Ai shton se nuk është dhënë asnjë sqarim për pezullimin, përveçse është thënë se bëhet për nevoja të ushtrisë.
“Atëherë, shtrohet pyetja nëse ushtria apo strukturat e sigurisë së Serbisë janë në gjendje aq të keqe, saqë nuk kanë armë, municion dhe çdo gjë tjetër… prandaj edhe është e nevojshme që të ndërpritet eksporti”, shprehet Trifunoviq.
Sipas tij, pezullimi shtron edhe pyetjet nëse fabrikat serbe kanë kontrata afatgjate me partnerët për eksportin e municionit dhe armëve dhe çfarë do të ndodhë me to.
Çfarë u tha për pezullimin?
Në një fjalim më 6 korrik, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, befasoi opinionin duke njoftuar se do të nënshkruajë një vendim që e ndalon eksportin e mëtejshëm të municionit dhe të çdo arme e mjeti nga Serbia.
Asokohe, ai tha se “interesi jetik kombëtar i Republikës së Serbisë është i kërcënuar deri në shkallën e fundit në këtë moment”, por nuk dha më shumë detaje.
“Duhet të përgatitet çdo gjë në rast agresioni ndaj Republikës së Serbisë”, tha Vuçiq, duke shtuar se Serbia nuk po përgatitet për luftë.
Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, konfirmoi më 14 korrik se Qeveria e Serbisë ka miratuar një vendim për të pezulluar eksportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake nga industria vendase.
“Përparësi i jepet Ushtrisë së Serbisë dhe të gjitha nevojat e Ushtrisë së Serbisë do të përmbushen nga fabrikat e industrisë së mbrojtjes”, tha Vuçeviq.
Kjo, shtoi ai, do t’i forcojë edhe më shumë aftësitë mbrojtëse të vendit.
“Kjo nuk do të thotë se Serbia po shkon në luftë, nuk do të thotë se ne po bëjmë thirrje për luftë, por ne i vlerësojmë me kujdes të gjitha rreziqet dhe sfidat e sigurisë. Ne monitorojmë gjithçka që ndodh dhe ne qeverisim në përputhje me rrethanat”, tha Vuçeviq.
Lluniq thotë se në bazë të të dhënave që disponon publiku, nuk mund të konstatohet se Serbia është nën ndonjë kërcënim të menjëhershëm të sigurisë.
Serbia, përndryshe, është e rrethuar nga vende që janë anëtare të NATO-s ose kanë ushtarë të kësaj aleance.
Ministri i Mbrojtjes i serbisë, Millosh Vuçeviq, gjatë vizitës që u bëri pjesëtarëve të ushtrisë në një stërvitje ushtarake pranë kufirit me Kosovën, 1 nëntor 2022
Lluniq thotë se rezervat e luftës duhet të plotësohen vazhdimisht, sidomos nëse një pjesë e municioneve të ruajtura është eksportuar ndërkohë.
“Municionet e vjetra eksportohen dhe zëvendësohen me të rejat”, thotë ai.
Por, Trifunoviq thotë se vendimi për pezullimin e eksportit të armëve nga Serbia ka mundur të ndikohet nga destabilizimi i situatës në Kosovë dhe kjo, sipas tij, paraqet një “problem të ndezur”.
Tensionet në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – u rritën në fund të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave, me ndihmën e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, me gjithë kundërshtimin e banorëve serbë lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur demonstruesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, në Zveçan.
Nga përleshjet u plagosën dhjetëra persona nga të dyja palët.
Më pas, në mes të qershorit, tre policë të Kosovës u arrestuan nga forcat serbe.
Ata akuzohen për armëmbajtje pa leje dhe më 26 qershor u liruan nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri.
Tregtari serb i listës së zezë sërish në fokus
Pesë ditë para deklaratës së Vuçeviqit, Ministria e Financave e Shteteve të Bashkuara futi në listën e sanksioneve drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Aleksandar Vulin.
Vulin u sanksionua nën dyshimet për korrupsion dhe përfshirje në trafikun e drogës, si dhe për lidhje me Rusinë.
Në një pjesë të njoftimit u tha se Vulin është i lidhur me tregtarin serb të armëve, Sllobodan Teshiq, i cili gjithashtu është në listën e sanksioneve të SHBA-së.
Thesari i SHBA-së tha se Vulin “ka ruajtur një marrëdhënie reciprokisht të dobishme me tregtarin serb të armëve, Sllobodan Teshiq, duke ndihmuar që dërgesat e paligjshme të armëve të Teshiqit të lëvizin lirshëm përtej kufijve”.
Detaje të mëtejshme për lidhjet e supozuara midis Teshiqit dhe Vulinit nuk u dhanë.
Lluniq beson se pezullimi i eksportit të armëve nuk ka të bëjë me rastin e Sllobodan Teshiqit.
“Të gjitha kompanitë e lidhura me Sllobodan Teshiqin janë të regjistruara si ndërmjetëse në tregtinë ndërkombëtare të armëve, dhe kështu është në interesin e tyre që ta rrisin tregtinë e armëve dhe pajisjeve ushtarake, e jo ta pezullojnë përkohësisht”, thotë Lluniq.
Trifunoviq pajtohet se pezullimi nuk ka të bëjë me Teshiqin.
“Më parë do të besoja se forcat tona të armatosura kanë mbetur pa armë, sepse është e qartë se prodhuesit e municioneve dhe armëve janë nën presion të madh nga kompani të ndryshme ndërkombëtare që merren me import dhe eksport të armëve, sepse nevoja për armë dhe municion në fushëbeteja përreth botës është e madhe”, thotë Trifunoviq.
Teshiq është nën sanksionet e SHBA-së që nga viti 2017, bashkë me katër kompani të lidhura me të.
Ai përshkruhet si “një nga tregtarët më të mëdhenj të armëve dhe municioneve në Ballkan”.
Dyshohet për tregti të paligjshme armësh me disa shtete, si dhe për ryshfet.
Në vitin 2019, sanksionet prekën edhe nëntë bashkëpunëtorë të tij dhe disa kompani të tjera të lidhura me të.
Nga viti 2003 deri në vitin 2013, Teshiq ishte gjithashtu në listën e ndalimit të udhëtimit të Kombeve të Bashkuara, për shkak të shkeljes së sanksioneve të
OKB-së për eksportet e armëve në Liberi.
Serbia asnjëherë nuk e ka harmonizuar politikën e saj me sanksionet e SHBA-së në rastin e Teshiqit.
Nga dhjetori i vitit 2022, Teshiq gjendet edhe në listën e zezë të Britanisë së Madhe. Vetë Teshiq nuk është deklaruar kurrë publikisht për sanksionet.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha se do të nisë një hetim për akuzat e SHBA-së për Vulinin. Prokuroria serbe tha përmes një deklarate se do të kërkojë informacione shtesë nga institucionet gjyqësore të SHBA-së, si dhe nga partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
Eksporti në Ukrainë
Agjencia e lajmeve Reuters shkroi më 12 prill se Serbia ka pranuar të dërgojë armë në Kiev ose i ka dërguar tashmë ato.
Reuters e publikoi informacionin duke u bazuar në një dokument konfidencial të Pentagonit, por autenticitetin e tij tha se nuk ka mundur ta konfirmojë në mënyrë të pavarur.
I titulluar “Evropa – Përgjigjja ndaj konfliktit të vazhdueshëm Rusi-Ukrainë”, dokumenti në formën e grafikut rendit “pozicionet e vlerësuara” të 38 qeverive evropiane, në përgjigje të kërkesave të Ukrainës për ndihmë ushtarake.
Sipas grafikut, Serbia refuzoi të ofrojë trajnime për forcat ukrainase, por u zotua se do të dërgojë armë vdekjeprurëse ose tashmë i ka dërguar ato. Po ashtu thuhet se Serbia “ka vullnet politik dhe aftësi ushtarake për t’i ofruar armë Ukrainës në të ardhmen”.
Zyrtarët në Serbi i mohuan këto pretendime, duke thënë se “Serbia nuk i ka shitur dhe as nuk do t’i shesë armë palës ukrainase apo ruse, e as vendeve që e rrethojnë atë konflikt”.
Ata, megjithatë, nuk e përjashtuan mundësinë që armët e prodhuara në Serbi ta kenë gjetur rrugën e tyre për në Ukrainë, duke shtuar se nëse kompanitë private blejnë armë në tregje të treta dhe ua shesin kompanive në vende të tjera, kjo nuk është çështje e Serbisë.
Kjo nuk është hera e parë që thuhet se armët serbe përdoren në Ukrainë. Më 27 shkurt, portali rus Mash publikoi një video, duke pretenduar se në të shihen 3.500 raketa serbe Grad, në një depo armësh në Bratisllavë të Sllovakisë.
Sipas këtij portali, Sllovakia është një vend transit për raketat dhe ato kanë përfunduar në Ukrainë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha më 2 mars se informacioni për armët serbe në arsenalin e ushtrisë ukrainase paraqet një “shqetësim të thellë”.
Edhe pas pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, 2022, Beogradi zyrtar ka vazhduar të mbajë marrëdhënie të ngushta me Moskën, duke refuzuar t’i vendosë sanksione dhe ta harmonizojë politikën e tij me BE-në – bllokun ku synon të anëtarësohet./REL