Deputeti i Shqipërisë: Jam i pari që marr armët për të luftuar për Kosovën

Deputeti i PD-së në Kuvendin e Shqipërisë, Asllan Dogjani ka deklaruar se është i gatshëm të marrë armët për të luftuar për Kosovën nëse është e nevojshme.

Deputeti tha se Kuvendi i Shqipërisë duhet të mbajë një qëndrim zyrtar dhe të dënojë dhunën e ushtruar nga ana e grupeve kriminale në veri të Kosovës duke iu referuar këtu rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga ata serbë.

“Nëse do jetë nevoja, unë jam i pari që marr armët. Ne kuksianët i kemi marrë armët gjatë luftës së Kosovës ku janë vrarë disa të rinj tanët. Kemi pritur mbi 500 mijë shqiptarë të Kosovës gjatë luftës. Po zotëri, unë e marr armën për të luftuar për Kosovën”, tha ai.
Dogjani ka kërkuar që të dalin me një rezolutë për të dënuar dhunën e ushtruar në Kosovë nga grupet kriminale.

“Unë kam kërkuar të dalim me rezolutë për të dënuar dhunën e ushtruar nga paramilitarët serbë ndaj zyrtarëve të Kosovës. Duhet të bëjmë një përpjekje dhe të mbajmë qëndrimin tonë. Nuk po analizojmë qëndrimin e Albin Kurtit por kërkojmë që kryeministri ynë mos të bëjë platforma paçavurre. Prandaj të dalim me një rezolutë të dënojmë dhunën e ushtruar në Kosovë nga grupet kriminale”, tha Dogjani.