Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati.
Edhe në vazhdimin e sotëm sërish nuk pati kuorum për vendimmarrje lidhur me komisionin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pasi subjektet politike parlamentare, PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-Nisma, nuk propozuan deputetë për anëtarë të këtij komisioni.
Dehari ndërpreu seancën dhe bëri të ditur se vazhdimi i saj të jetë më 21 qershor, në orën 10:30.
Përpjekja e 34-ët për konstituimin e Kuvendit
Deputetët e Kuvendit pas pak do të mblidhen edhe një herë për të vazhduar seancën konstituive.
Limaj: Shqetësimi im është çështja e sigurisë së Kosovës
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka folur për takimin me kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhikun, si dhe për temat që presin zgjidhje. Sipas tij, çështje preokupuese tani është siguria e vendit.
“Jam takuar me Abdixhikun , kemi pasur takim shumë të mirë kemi pasur një bisedë shteruese për të gjitha temat që e preokupojnë Kosovën. Kemi biseduar për zhvillimet politike në Kosovë, por edhe ato rajonale, për angazhimet tona si obligime që duhet të kryhen”, tha ai.
Sa i përket zgjidhjes së ngërçit në Kuvend, Limaj tha se kemi këndvështrime nga shumë drejtime, pore rëndësishme, sipas tij është që po ndodhin këto takime për të gjetur zgjidhjen.
“Ne shprehim vullneti dhe gatishmërinë për të gjetur zgjidhjen, se ne nuk mund t’i zgjidhim vetë problemet për temat e rëndësishme”, tha Limaj.
Ai, tutje tha se shqetësimi i tij tani është edhe çështja e sigurisë së Kosovës. “Unë në javën kaluar kam ngritur shqetësimin për çështjen e ekonomisë, por tani kam shqetësime edhe në çështjen e sigurisë”, theksoi Limaj.
Zogaj: Krizë e thellë, mungesë e gatishmërisë për kompromis e LVV-së
Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, situatën aktuale politike në vend, e ka e cilësuar si një krizë të thellë të shkaktuar nga mungesa e gatishmërisë për kompromis të partisë më të madhe.
Sipas tij, përkundër përgatitjeve për zgjedhjet lokale, kriza politike që po ndodh në nivel qendror nuk duhet të lihet pas dore.
“Sa i përket zgjedhjeve lokale, në funksion i kemi të zgjedhjet lokale, është shpallur data e zgjedhjeve, 12 tetori do të vijë shpejt, jemi në përgatitje. Kjo sagë që po e shohim çdo ditë, ky cirkus bie në hije kur ne tash fokusin e zhvendosim nga zgjedhjet lokale. Por në asnjë koment nuk duhet lënë anash këtë cirk që po ndodh aktualisht dhe krejt ky cirk është si rezultat i partisë së madhe dhe kryeneçësisë së saj për të mos dalë nga kjo krizë politike. Krizë politike jemi dhe jemi në krizë të thellë”, ka theksuar Zogaj.
Haradinaj: Kurti është mashtrues, Kosovën po e mban peng
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj derisa po hynte në Kuvendin e Kosovës në tentimin e 34-të për konstituimin e Kuvendit, tha se Kosova pop mbahet peng i një njeriu dhe kjo situatë sipas tij nuk mund të shkojë pa kufij.
I pyetur se nëse mund të ketë ndryshime në këtë tentim të ri ai u tha gazetarëve: “Kjo pyetje duhet t’i bëhet vetëm një njeriu, mashtruesit, Albin Kurti. Për fat të keq po e paguajmë çmimin se i kemi besuar një mashtruesi, dhe për mua nuk është befasi. Ju e dini vlerësimin tim për të, por edhe kjo situatë duhet të marr fund dikur”.
Kurse, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lahi Brahimaj, ka deklaruar se nuk pret që të ketë ndonjë zhvillim në seancën e sotme konstituive. Ai ka deklaruar se po e presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi çështjen e votimit të fshehtë.
“Po presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk besoj se ka ndonjë zhvillim”, ka thënë shkurtimisht Brahimaj.
Më 12 maj, AAK-ja e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e formimit të komisionit për votim të fshehtë në seancën konstitutive të Kuvendit.
Haxhiu: Situata sot do të jetë e njëjtë fatkeqësisht
Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, ka theksuar se nuk pret ndonjë zhvillim të ri në vazhdimin e seancës. Sipas saj, ish-opozita nuk ka shfaqur ndonjë qëndrim të ri që do të mundësonte zhbllokimin e situatës.
“Nuk kam parë ndonjë qëndrim ndryshe nga opozita, prandaj edhe sot do të jetë situata e njëjtë, fatkeqësisht”, ka deklaruar ajo.
Qalaj: Ngërçi në Kuvend zgjidhet nëse VV-ja propozon kandidat tjetër
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, para vazhdimit të 34-të të seancës konstituive, ka thënë se ngërçi institucional në Kuvendin e Kosovës mund të zgjidhet nëse partia me më së shumti ulëse propozon një kandidat tjetër, që është i pranueshëm për spektrin politik.
“Problemi i Kuvendit mund të zgjidhet në atë moment, kur partia që ka fituar më së shumti ulëse të propozoj dikë tjetër të pranueshëm për partitë tjera. Ne si PDK i kemi dhënë propozimet tona, PDK është duke bërë një punë mjaft të mirë, meqenëse është duke evituar një të keqe të madhe që një kandidat që nuk është i pranueshëm, që nuk paraqet unitet, të mos bëhet kryetar i parlamentit”, ka thënë ai paka.
Sot përpjekja e 34-ët për konstituimin e Kuvendit
Për herë të 34-ët, deputetët do të tentojnë sot në orën 10:00 të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.
Deri tash, në vazhdimet e seancës që nuk kanë zgjatur më shumë se 2-3 minuta, nuk ka pasur vota të mjaftueshme për formimin e Komisionit për votim të fshehtë, i cili do të mundësonte votimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.
Përpjekja e radhës për konstituimin e Kuvendit dështoi sërish të martën, duke e zgjatur edhe më tej ngërçin institucional në vend.
Kryesuesi Dehari ftoi edhe njëherë subjektet politike parlamentare që nuk i kanë propozuar deputetët për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë, përkatësisht PDK-në, LDK-në, Listën serbe dhe AAK-NISMA-n, që ta bëjnë këtë.
Serish nuk pati propozime për anëtarë të këtij komisioni.
Për përbërjen e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, votuan 51 deputetë, një votoi kundër ndërsa abstenime nuk pati.
Ndërkohë çdo përfundim të seancës përfaqësuesit e partive politike po hedhin akuza ndaj njëra-tjetrës për bllokim institucional.