Dështoi seanca e 40-të për konstituimin e Kuvendit

Abdixhiku: Do të shkoj në takim me Osmanin sapo të ftohem

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas dështimit të 40-të me radhë të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, është pyetur nëse do të marrë pjesë në takim nëse ftohet nga presidentja Vjosa Osmani.

Abdixhiku u përgjigj shkurt duke thënë se sapo të marr ftesë do të shkoj, dhe se presidentja bënë mirë të ketë qëndrim për situatën e krijuar.

“Jo ende nuk kam marrë ftesë, dhe shkojmë kurdo që marrim ftesë. Dhe bënë mirë që na mbledh presidentja dhe bënë mirë edhe që të ketë qëndrim për këtë çështje”, tha Abdixhiku.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani pritet t’i ftojë liderët e partive politike në takime në ditët në vijim.


Zemaj: VV nuk po lejon respektimin e vendimit të Kushtetueses

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj pas dështimit për herë të 40-të të konstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës tha se sot është parë injoranca e LVV-së, si partia fituese.

“Pamë injorancën e shumicës parlamentare, LVV-së për të mos lejuar respektimin e vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe për të mos lejuar krjimin e mundësisë për votimin e kryetarit të Kuvendit. Kjo është shkelje në vazhdimësi e Kushtetutës dhe papërgjegjësi e madhe çka po ndodh me kapjen e institucioneve, me tendencën për të vazhduar ky ngërç politik”, ka thënë ai.

Ndërkaq kryesuesi i seancës, Avni Dehari edhe këtë herë kërkoi nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati as kësaj here nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe. Nga deputetët 108 sa ishin në sallë, 51 votuan për, kundër dhe abstenim nuk pati.


Dështoi seanca e 40-të për konstituimin e Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për të 40-tën herë me radhë, të martën, që ta konstituojnë përbërjen parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Më 1 korrik u shënua hera e tretë që deputetët nuk arritën kurrfarë progresi në konstitutimin e Kuvendit që nga shpallja e një aktgjykimi nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila më 26 qershorobligoi deputetët që brenda 30 ditësh të konstituojnë Kuvendin – afat që skadon më 26 korrik.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate, si dhe Lista Serbe, që nga 1 maji po refuzojnë që të propozojnë anëtarë për një komision që do të mbikëqyrte një votim të fshehtë për kryeparlamentarin e ri.

Seanca e radhës do të mbahet më 3 korrik në ora 11:00.

Osmani u ka bërë thirrje deputetëve që të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse paraqitet nevoja, presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, ka thënë këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina.


Dehari urdhëron që t’i ndalet fjala Deliut, Zemajt dhe Kadrijajt

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari edhe në këtë seancë urdhëroi që t’i ndalej fjala deputetëve të partive politike, PDK-së, LDK-së dhe AAK-Nisma.

Kur u kërkua që të propozohej anëtari për Komisionin e Votimit të fshehtë, nga PDK, ishte Blerta Deliu-Kodra ajo e cila në foltoren e Kuvendit kërkoi që të respektohej rendi i ditës nga Kryesuesi.

“Respektoje Kushtetutën, ktheju rendit të ditës”, ishin fjalët e Deliu-Kodrës, e që i menjëhershëm qe reagimi i Deharit, i cili kërkoi nga regjia t’i ndalej fjala.

Njësoj ndodhi edhe me deputetin e LDK-së, Armend Zemaj si dhe atë të AAK-së, Time Kadrijajn.

“Ne e kemi një emër për komision dhe për komision e propozojmë deputetin Albin Kurti”, tha Kadrijaj.


Fillon seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit

Ka nisur seanca e 40-të për konstituimin e Kuvendit.

Kjo seancë është duke u drejtuar nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari dhe deputetja më re në moshë, Sala Jashari. /21Media

Basha për formën e votimit: Kushtetuesja na tha zgjidhni cilën të doni

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, i ka akuzuar partitë e tjera se po e bllokojnë konstituimin e Kuvendit.

Ai ka thënë se votimi i fshehtë po tentohet të shfrytëzohet pasi votimi i hapur s’ka qenë i suksesshëm. Sipas Bashës, Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj ka thënë se mund të përdoret cilido votim.

“…Ne kemi provuar me votimin e hapur, s’ka pasur zgjidhje, e kemi tentuar me votimin e fshehtë. Gjykata ka thënë zgjidhni cilido që të doni. Por, opozita po thotë që votimi i fshehtë është pikë e re e rendit”, ka thënë Basha.


Haxhiu për opozitën: Por sa kohë ne kemi pasur vullnetin ata nuk kanë pasur vullnet dhe gatishmëri 

Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu për RTV21 ka thënë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të vazhdojë seanca konstituive me votimin e komisionit për votimin e fshehtë.

Ajo shtoi se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e ka vlerësuar apo konsideruar që komisioni i fshehtë është shkelje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Sot është komisioni dhe jo emri im siç e kemi thënë është jashtëzakonisht e rëndësishme që të vazhdojë aty ku ka mbetur seanca konstituive, gjegjëisisht me votimin e komisionit për votimin e fshehtë. Edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e ka vlerësuar ose nuk ka konsideruar që komisioni i fshehtë është shkelje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.

Deputetja e LVV-së për opozitën tha se ata nuk kanë pasur vullnet dhe gatishmëri për situatën në Kuvend.

“Në atë takim ne kemi paraqitur dy kompromise siç i ka përmendur kryetari Kurti. Sa të është opozita në një vend ,në një shtet ashtu funksion demokracia, por sa kohë ne kemi pasur vullnetin ata nuk kanë pasur vullnet dhe gatishmëri”, theksoi ajo. /21Media


Lushtaku: Kurti s’është i interesuar për konstituim 

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku e ka kritikuar kryetarin e VV-së, Albin Kurtin për shkuarjen në Shkup, pasi sipas tij, së pari duhet të kryhen punët e shtëpisë.

Para mediave, ai tha se kryeministri në detyrë nuk është i interesuar t’i zgjidh problemet e qytetarëve e as për ta konstituuar kuvendin.


Bajrami: VV-ja vazhdon me të njëjtin avaz, edhe sot do t’i dështojë përpjekja për votim të fshehtë 

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se edhe në seancën e sotme të Kuvendit, VV-ja pritet të vazhdojë me avazin e njëjtë përkundër aktgjykimit të Kushtetueses që obligon konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Bajrami ka thënë edhe seanca e sotme pritet të jetë “dështim”.

Deputetja e LDK-së ka thënë se këtë situatë e përshkruan më së miri përkufizimi i Albert Ajnshtajnit për çmendurinë.

“Nga data 1 maj deri më sot, plot 31 herë ka dështuar formimi/votimi i Komisionit për votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit. Për habinë e disave, por jo timen, LVV vazhdon me të njëjtin avaz edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sot pritet të jetë dështimi i 32-të. P.S. Këtë situatë e përshkruan më së miri përkufizimi i Albert Ajnshtajnit për çmendurinë”, ka shkruar Bajrami.


Zemaj thotë se VV-ja s’e njeh Kushtetutën

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk e njeh Kushtetutën e Kosovës dhe tha se s’i respekton vendimet e këtij institucioni.

Zemaj u shpreh para mediave se ky ngërç politik është fatkeqësi për Kosovën.

“Vetëvendosje s’e njeh Kushtetutën e Kosovës dhe s’i respekton vendimet. E njeh vetëm egon dhe dashurinë e madhe për pushtetin…Kosova po humb shumë”, ka thënë ai.

Deputeti i LDK-së u shpreh se në këtë situatë duhet të shfrytëzohen format demokratike.


Për të 40-ën herë mblidhet Kuvendi, a do të ketë konstituim?

Kuvendi i Kosovës sot nga ora 11:00 të mblidhet sërish, në tentativën e 40-të për konstituim.

Partitë politike parlamentare nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët për kreun e Kuvendit, gjersa po bëhen gati 5 muaj që nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 9 shkurtit.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë në emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ndërsa për partitë tjera ky emër nuk është unifikues.