Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish sot nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati.
Edhe seanca e sotme sërish nuk pati kuorum për vendimmarrje lidhur me komisionin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pasi subjektet politike parlamentare, PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-Nisma, nuk propozuan deputetë për anëtarë të këtij komisioni
Nga 87 deputetët që ishin në sallë, 47 votuan për, nuk pati asnjë votë kundër e asnjë abstenim.
Seanca tjetër mbahet me 15 qershor në ora 11:00.
Sot sërish mblidhen deputetët e Kuvendit të Kosovës në përpjekjen e radhës për konstituimin e legjislaturës së 9-të.
Derisa në disa seanca rresht, kandidatja e Vetëvendosjes për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur t`i marrë 61 votat e nevojshme, ka qenë Vetëvendosje e cila ka propozuar votim të fshehtë, me të cilin nuk janë pajtuar opozita.
Seanca për konstituimin e Kuvendit ka nisur më 15 prill dhe po vazhdon pa asnjë rezultat për shkak edhe të pamundësisë për të krijuar Komisionin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Ndërkohë çdo përfundim të seancës përfaqësuesit e partive politike po hedhin akuza ndaj njëra-tjetrës për bllokim institucional.