Dokument – Ekskluzive: Ekspertët ndërkombëtarë kanë gjetur formulën për themelimin e Asociacionit!





Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është një obligim ligjor i pashmangshëm i Kosovës nga Marrëveshja e Parë e vitit 2013 dhe kërkesë e vazhdueshme e komunitetit ndërkombëtar, por ai nuk mund të themelohet siç thotë kryeministri, Albin Kurti, njëjtë siç është Asociacioni ekzistues i Komunave të Kosovës dhe as nuk mund të formohet si një Organizatë Joqeveritare, çfare e reklamon presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Albanian Post ka siguruar ekskluzivisht një dokument prej nëntë faqesh i quajtur “Koncept Këshillëdhënës (advisory note)”, i punuar nga ekspertë ndërkombëtarë të drejtësisë, ku shpjegohet në detaje, fillimisht përse ky Asociacion s’mund të themelohet barasvlershëm me format ekzistuese (aq më pak si OJQ) dhe më pas jepet një version se cila do të ishte rruga e duhur e themelimit.

Ekspertët madje përqeshin deklarimet e presidencës së Kosovës se Asociacioni i Komunave mund të jetë një OJQ, derisa tregojnë se Asociacioni ekzistues i Komunave të Kosovës jo që nuk shërben si shembull, por duhet të shpërbëhet krejtësisht sepse paraqet deformim legal.

Ata në dokument prezantojnë një formulë përmes të cilës edhe formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe edhe i bie që vetë Qeveria nuk e ka formuar këtë Asociacion, por Parlamenti.

Ideja është që të bëhet një ligj i ri, i cili aktualisht nuk ekziston në Kosovë, përmes të cilit do të bëhej e mundur që komunat të formojnë Asociacione për bashkëpunim dhe koordinim ndërkomunal.

Ligji do të vlente për të gjitha komunat njësojë, jo vetëm për ato me shumicë serbe. Krejt çka do të duhej për themelimin e Asociacionit do të ishte vullneti i një komune për t’u bërë pjesë e tij.

Këtë ligj do ta përdornin komunat me shumicë serbe për të ndërtuar Asociacionin e tyre. Të njëjtin do të mund ta përdornin edhe komuna të tjera, poqë se duan të përfshihen në një Asociacion.

Ligji i propozuar, në njëfarë forme, i ikë edhe një-etnicitetit të formimit të Asociacionit që është një nga vërejtjet kryesore të Gjykatës Kushtetuese, sepse parimisht ai nuk themelohet për një etni, por për të gjitha komunat.

E kuptueshme që komunat me shumicë serbe do ta përdorin elementin etnik për t’u bashkuar në një Asociacion, por nuk është se ligji e kërkon këtë kriter.

Përmes të njëjtit ligj do të mund të formonin Asociacione edhe komuna të tjera, thjesht do të duhej të udhëhiqnin me dy e më shumë komuna që të formojnë një Asociacion. Por, siç dihet, përveç komunitetit serb – falë decentralizimit – asnjë komunitet tjetër pakicë nuk udhëheqë me ndonjë komunë në Kosovë.

Jo rrallë Albin Kurti kur pyetej për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, thoshte se Kosova ka Asociacion tashmë dhe është ai i Komunave të Kosovës.

Ekspertët ndërkombëtarë shprehin habinë se si ekipi ligjor i kryeministrit asnjëherë nuk i ka treguar për nonsensin juridik që përbën edhe ky krahasim edhe vetë Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK).

“Anash observimeve të bëra nga Gjykata Kushtetuese, autoritetet e Kosovës shpesh kanë theksuar se kapaciteti legal i Asociacionit duhet të jetë identik me atë ekzistuesin që është Asociacioni i Komunave të Kosovës, aktualisht i regjistruar dhe me veprim si Organizatë Joqeveritare. Ekipet ligjore që këshillojnë autoritetet e Kosovës do të duhej të vinin në pah figurën/strukturën e cunguar ligjore të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese gjithashtu ka dështuar për të theksuar këtë strukturë të cunguar ligjore të këtij Asociacioni aktual”, thuhet në hyrje të dokumentit.

Të metat legale të Asociacionit aktual të Komunave të Kosovës

Autoritetet e Kosovës, përfshirë presidenten, argumentojnë se ndërtimi ligjor i Asociacionit ekzistues të Komunave të Kosovës buron nga Ligji i Vetëqeverisjes Lokale.

Ky ligj, në nenin 31 të tij, thotë se “Për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tyre të përbashkëta, komunat formojnë dhe marrin pjesë në asociacionet që funksionojnë, në pajtim me ligjin”.

Autoritetet e Kosovës thonë se “ligji” i referohet Ligjit Për Lirinë e Ascociimit në Organizata Joqeveritare, pasi që Asociacioni ekzistues i Komunave të Kosovës ekziston sipas dispozitave dhe procedurave të këtij ligji.

Por, shpjegojnë ekspertët, Autoritetet e Kosovës, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, kanë injoruar faktin se Ligji Për Lirinë e Ascociimit në Organizata Joqeveritare buron nga neni 44 i Kushtetutës.

“Duhet t’ua kujtojmë palëve se neni 44 i Kushtetutës i referohet Lirisë për Asociim si një nga të drejtat dhe liritë fondamentale të garantuara nga Kushtetuta e Kosovës. Është e drejtë fondamentale dhe liri e dhënë për individët dhe vetëm për individët. Pra, kjo reflektohet edhe në ligj gjithashtu”, shpjegojnë ekspertët.

“Me këtë ligj, Asociacionet janë të formuara nga qytetarët e lirë. Neni 16 i Ligjit Për Lirinë e Ascociimit në Organizata Joqeveritare thotë se “Shoqata është organizatë e anëtarësisë, e grupuar në bazë të vullnetit të lirë të personave me interes të përbashkët, për realizimin e qëllimeve të ligjshme për përfitim publik ose për interes të ndërsjellë” dhe pika tjetër, specifikon se “Shoqata themelohet nga tre (3) ose me shumë persona”.

Edhe Asociacioni aktual i Komunave të Kosovës është i themeluar pikërisht përmes kësaj vije ligjore.

Sipas të dhënave zyrtare, Asociacioni ekzistues i Komunave të Kosovës (Akronimi AKK, Asociacion OJQ, me numër regjistrimi 5101800-1) është një organizatë e themeluar jo nga komunat, por nga tre individë në kapacitetin e tyre si persona privatë.

Zotërinjtë Faruk Spahija, Lutfi Haziri dhe Sali Gashi, janë të listuar si themelues të AKK-së.

“Se si mundet që një organizatë e themeluar nga tre qytetarë privatë të përfaqësojë Komunat e Kosovës përbën një mister ligjor”, shprehet habia në dokumentin e ekspertëve, të cilin e ka siguruar Albanian Post.

Po ashtu, i njëjti ligj, Ligji Për Lirinë e Ascociimit në Organizata Joqeveritare, në Nenin 13, pika 1, thotë se “OJQ ushtron veprimtarinë e saj në mënyrë të pavarur nga institucionet publike”, në anën tjetër, definicioni juridik i një komune, i pranuar gjerësisht është: “Komuna është një nënndarje politike e një shteti brenda të cilit është krijuar një korporatë komunale për të siguruar qeverisjen e përgjithshme lokale, e përqendruar për një popullatë specifike dhe e përqendruar në një zonë të caktuar”.

Prandaj, thuhet në dokument “çdo ekspert ligjor/politik do të çuditej, sepse meqë komunat janë pjesë përbërëse e institucioneve të shtetit, si mundet që një organizim i themeluar prej tyre të jetë i pavarur nga shteti?”.

“Si një pjesë përbërëse e strukturës së përgjithshme qeverisëse, komunat nuk gëzojnë lirinë e asociimit e dhuruar për individët nga Kushtetuta. Çfarëdo nocioni që komunat mund të themelojnë OJQ që më pas të përfaqësohen përmes saj përbën një nonsens burtal ligjor”.

Hartuesit e dokumentit propozojnë që “Autoritetet e Kosovës duhet menjëherë të anulojnë regjistrimin e AKK-së, pasi që ekzistimi i AKK-së, si një OJQ, përbën shkelje flagrante të ligjit dhe tallje (hajgarllëk) me principet fondamentale demokratike të qeverisjes”.

Ekspertët shpjegojnë se me Kushtetutën e Kosovës, Komunat kanë të drejtë të bashkëpunimit ndër-komunal përmes Nenit 124, pika 4. Madje është edhe Ligji për Bashkëpunim Ndër-komunal (Ligji Nr.04/L-010).

Por, problemi – siç sqarojnë ekspertët – është se ligj do të duhej të mbulonte të drejtën e komunave për asociim, siç theksohet në kapitullin V (5) të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, e që aktualisht nuk e bën.

Gjithsesi, shkruajnë ata, Kapitulli V (Bashkëpunimi ndërkomunal dhe aranzhmanet brenda komunale) nga Ligji i vitit 2008 për Vetëqeverisje Lokale e vë themelin për eksplorimin e kësaj të drejte.

Prandaj, meqë hapësira ekziston, ata kanë edhe një propozim si zgjidhje.

“Për nevojën kaq të madhe të përshtatshmërisë ligjore, rrugë ma e mirë është të draftohet një ligj i ri me emrin ‘Ligji për Bashkëpunim dhe Koordinim Ndërkomunmal’, që po ashtu mbulon të drejtën e komunave për t’u asociiuar, dhe efektivisht anulon Ligjin Nr.04/L-010”.

Meqë “bashkëpunimi” i referohet përpjekjes kolektive nga një grup për të arritur objektiva partikulare dhe “koordinim” i referohet një rregullimi të zakonshëm të përpjekjeve të një grupi për të siguruar unitet veprimi në ndjekjen e objektivave të përbashkëta, duke përfshirë këtu edhe objektiva partikulare, ofron një shtrirje më të gjerë.

“Neni 81 i Kushtetutës”, pohohet në dokument, “e rregullon se një ligj i tillë do të binte në legjislacionin me interes vital që kërkon rregullin e shumicës së dyfishtë. Rregulli i shumicës së dyfishtë dikton domosdoshmërinë e pjesëmarrjes aktive të deputetëve serbë të Kosovës në procesin legjislativ”.

Përmes këtij ligji të ri, i propozuar të quhet “Ligji për Bashkëpunim dhe Koordinim Ndërkomunmal”, do të ofrohej “korniza e përgjithshme për strukturën organizative, objektivat, aktet ligjore të qeverisjes, procedurat për ta themeluar dhe zhbërë, raportin me autoritetet qendrore, buxhetin, kapacitetin legal dhe aspekte të tjera organizative të themeluara nga komunat për bashkëpunim dhe koordinim ndër-komunal”.

“Të menduarit praktik (common sense) dhe vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese do të udhëhiqnin ligjbërësit në procesin draftues”, këshillojnë ekspertët, derisa propozojnë që “Ligji duhet ta caktojë Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal si struktura qeverisëse e mbikëqyrjes”.

“MAPL-ja do të shërbente gjithashtu si zyra e regjistrimit për themelimin dhe zhbërjen e këtyre organizatave. Për këtë qëllim, MAPL-ja do të duhej të adoptonte disa direktiva specifike administrative”.

Kështu, “ky ligj do të ofronte bazën ligjore të nevojshme për strukturën e duhur ligjore për ekzistimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, dhe çfarëdo organizate tjetër në të ardhmen, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”.

Ekspertët në dokument kanë paraparë edhe argumentimin që mund të bëhet “në terme të thjeshtëzuar, se struktura ligjore e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mund të rrjedhë vetëm nga Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve”.

Por, ata thonë se “në përpjekje për të konceptuar strukturën juridike shumë të nevojshëm të organizatave të themeluara nga komunat, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese KO130/15 i datës 23 dhjetor 2015 dikton një opinion më të gjerë juridik”.

Duke përdorur Nenin 19, pikën 1 të Kushtetutës që thotë se “Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Kosovës, bëhen pjesë e sistemit të brendshëm juridik pasi të botohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Ato zbatohen në mënyrë të drejtpërdrejtë, me përjashtim të rasteve kur nuk janë të vetëzbatueshme dhe zbatimi i tyre kërkon nxjerrjen e një ligji”, ata argumentojnë se “siç kemi parë në vitet e kaluara, Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve nuk është i vetëzbatueshëm”.

Prandaj, “Shpallja e Ligjit për Bashkëpunim dhe Koordinim Ndërkomunal bie në kategorinë e aseteve të nevojshme ligjore të parapara me nenin 19.1”.

Shpallja e këtij Ligji gjithashtu “do të përmbushte obligimet ligjore të parapara në pikën dy të Marrëveshjes së Parë të Principeve, ku theksohet: Asociacioni/Komuniteti do të krijohet nga statuti. Zhbërja do të bëhet vetëm me një vendim të komunave pjesëmarrëse. Garancitë ligjore do të sigurohen nga ligji në fuqi dhe ligji kushtetues (duke përfshirë rregullin e shumicës prej 2/3)”.

Krejt në fund, ekspertët sugjerojnë se “Ligji për Bashkëpunim dhe Koordinim Ndërkomunal” pasi të themelohet dhe vendimet administrative që derivojnë nga ky ligj “mund të prezantohen para Gjykatës Kushtetuese për një shikim final”.

Si shkohet deri te votimi i ligjit?

Fillimisht, sqarohet në dokument, duhet të bëhet “lansimi i diskutimeve/konsultimeve serioze në draftimin dhe shpalljen e Ligjit për Bashkëpunim dhe Koordinim Ndërkomunal”, sepse kjo “është rruga më e mirë për të tejkaluar bllokimin shumë vjeçar”.

“Diskutimet/konsultimet gjithashtu mund të jenë ndihmuese në gjetjen e formulave për të adresuar të tjera shqetësime në raport me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në dokument.

Derisa, janë të bindur se me këtë ligj të ri, “përveç zgjidhjes se problemit për strukturën ligjore të Asociacionit ekzistues të Komunave të Kosovës” po ashtu “do të mundësohet principi i barazisë ligjore për të gjitha organizatat që formohen nga komunat, përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”.

“Shpallja e Ligjit për Bashkëpunim dhe Koordinim Ndërkomunal ofron kornizën për të adresuar shqetësimet e ngritura nga Gjykata Kushtetuese dhe njëkohësisht arrin objektivat e marrëveshjes së vitit 2015 për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Po ta ndjek Kosova këtë rrugë, sipas tyre, “do të demonstronte përkushtimin për rend dhe ligj dhe seriozitetin e vet si një partner kredibil i komunitetit ndërkombëtar”.