Sot do të zhvillohet dueli i nxehtë gjysmëfinal mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës.
Ky do të jetë dueli i pestë dhe vendimtar për fatin e skuadrës që do të jetë finaliste e edicionit 2022-23 në Superligën e Kosovës në Basketboll.
Katër takimet paraprake përfunduan me nga dy fitore të kryeqytetasve dhe po aq te “xehtarëve”, duke i fituar secila ndeshjet e tyre në shtëpi.
Vendi i parë në tabelë në sezonin e rregullt, i jep përparësinë Prishtinës që ndeshjen vendimtare ta zhvillojë në shtëpi të vet.
Ndeshja zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, me fillim nga ora 17:15.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, faqja zyrtare e Prishtinës ka bërë të ditur që tashmë të gjitha biletat janë shitur për këtë ballafaqim.
Kujtojmë që Peja është skuadra e parë që ka siguruar finalen për këtë sezon, pasi mposhti skuadrën e Golden Eagle Yllit nga Suhareka, me rezultat të përgjithshëm 3-1.
Fituesi i sotëm do të duelojë në finale me Pejën, dhe sistemi i ndeshjeve do të jetë vajtje-ardhje, me nga një ndeshje në shtëpi dhe transfertë./sinjali