Ekskluzive: Këto janë pikat, kjo është rruga, këtu nënshkruhet marrëveshja Kosovë-Serbi





Me 8 shtator 2022, Jens Plotner i Gjermanisë dhe Emmanuel Bonne i Francës, vizituan Prishtinën dhe Beogradin, të ngarkuar me një mision shumë të rëndësishëm.

Berlini dhe Parisi tashmë kishin ardhur në përfundimin që, pa një ndërhyrje të fuqishme nga jashtë Kosova dhe Serbia kurrë nuk do të arrijnë një marrëveshje për normalizim.
Dhe nëse çështja lihet pa kujdes e pa ndërhyrje, Ballkani Perëndimor do të kthehet në një kancer për Evropën si dhe në një levë të fuqishme destabilizuese në duart e Vladimir Putin.

Sipas kërkesës specifike të Berlinit dhe Parisit, në takimet me Albin Kurtin në Prishtinë dhe Aleksandar Vuçiç në Beograd i pranishëm ishte vetëm edhe Miroslav Lajçak.
Kjo për shkak që Berlini dhe Parisi nuk ndiheshin komod që çështja të diskutohej në prani të ndonjë zyrtari më të ulët, qofshin këta edhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Kurtit dhe Vuçiç-it.

Në këto dy takime, Plotner dhe Bonne (njerëzit kryesorë të Macron e Scholz edhe për zhvillimet në Ukrainë, ekuivalentë të Jake Sullivan në SHBA) prezantuan qëndrimin e shefave të tyre që, pas invazionit rus në Ukrainë, “tani jetojmë në një realitet të ri” dhe që zhvillimet në Ballkanin Perëndimor tani bartin implikime më të gjëra gjeopolitike.

Si rrjedhojë, ata më pas potencuan nevojën për mbylljen e armiqësive në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe prezantuan një vizion mbi atë se çfarë mund të jetë kompromisi, si një zgjidhje e ndërmjetme në mes të pozicioneve maksimaliste të dyja palëve, por edhe si një zgjidhje në funksion të kohezionit të brendshëm të BE-së dhe NATO-së.

Në fund të këtyre konsultimeve pas takimeve në Prishtinë e Beograd ishte e qartë, procesi aktual i dialogut i udhëhequr nga Lajçak ka shteruar potencialin e tij, prandaj tani është koha për një kornizë të re që e dinamizon dialogun ekzistues, por edhe i vendos një epilog të qartë procesit.

Që nga viti 2007, Serbia qëndron fuqishëm prapa pozicionit që asnjë qeveri në Beograd nuk mund ta pranojë de-jure pavarësinë e Kosovës, ndërkohë Kosova qëndron prapa pozicionit që vetëm njohja e ndërsjellë e zgjidh vërtet problemin.

Esenca e propozimit të Plotner dhe Bonne qëndronte në pohimin që secila palë mund të ruante pozicionet e veta parimore, por që, në planin praktik, ato duhet të pajtohen për disa rregulla evropiane që do të menaxhojnë të jetuarit në fqinjësi të mirë, në paqe, qetësi dhe bashkëpunim.
“Organizata fantome” e Vjosa Osmanit

Në këtë pikë të rrëfimit, futen në lojë burimet e AP-së.
Në qarqet vendimmarrëse që kanë përgatitur misionin Plotner-Bonne, por edhe brenda palëve të treta, që e kanë mbështetur nevojën për një mision të tillë, kishte diplomatë që ishin të shqetësuar për strategjinë e konfidencialitetit total, pra që publikut, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, të mos i ofrohet asgjë, para se gjërat të kristalizohen në mes palëve.

Kjo qasje u vlerësua si e gabuar, pasi që, njohësit e rajonit, ata që me vite e dekada janë marr me rajonin, tashmë e dinin që përcaktuesi final nuk janë Kurti dhe Vuçiç, por është opinioni publik në Kosovë dhe në Serbi.

Të nisur nga bindja që qytetarët e thjeshtë, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, janë të lodhur nga status-quoja, këta diplomatë ishin të bindur që opinioni publik nuk do e vriste këtë projekt, siç pohonin disa kolegë të tyre të përfshirë rishtazi në rajon.
Fatkeqësisht, plot naivitet, Presidentja Osmani këta diplomatë i ka cilësuar si “organizatë fantome” që prodhon non-papers-a.

Dokumenti i 18 shtatorit

Që para ardhjes së Plotner dhe Bonne, mbi supet e njërit prej këtyre diplomatëve ra detyra që esencën e asaj që mendohej dhe analizohej në Berlin dhe Paris ta përmblidhte në një dokument të vetëm.
Ky dokument duhet ta shpjegonte logjikën prapa vizionit të ri, logjikën prapa nevojës për sekuencializim të veprimeve, çfarë konkretisht nënkupton normalizimi substancial, çfarë pritet nga palët si dhe çfarë përfitojnë palët dhe çfarë mund të jenë penalizimet?

Të gjitha duhej thënë me masë, sa për të treguar që autori i dokumentit ka njohuri të brendshme mbi procesin, por edhe mjaftueshëm i kujdesshëm që të mos e dëmtojë procesin. Pra, qendrat e vendosjes mund ta mohonin dokumentin, por jo përmbajtjen.

Dokumenti i 18 shtatorit i publikuar në AP, u mbijetoi mohimeve, sulmeve dhe teorive të konspiracionit dhe nga java në javë, në hap e sipër, çdo tezë e prezantuar është konfirmuar.
Rrjedha e ngjarjeve, pas 18 shtatorit kur AP publikon dokumentin, që aso kohe ishte në një qarkullim të kufizuar, e vërtetoi teorinë e këtyre diplomatëve që opinioni në Kosovë dhe Serbi nuk do të mobilizohej kundër këtij projekti të normalizimit faktik të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Përkundrazi, reagimi i moderuar i opinionit i dha krahë të gjitha zhvillimeve të mëpastajme, përfshirë edhe konsultime më përmbajtësore në mes të disa kryeqyteteve.

Rrugëtimi nga e lëngshmja në ngurtësim
Pra, kryeministri Kurti ishte i sinqertë me opinionin publik kur. Pak ditë pas publikimit në AP, kishte deklaruar që propozimi franko-gjerman ishte i një trajte të lëngshme, akoma gjithçka ishte vetëm në rrafshin e ideve.

Janë dashur katër javë të diskutimeve me Prishtinën, Beogradin, por edhe të diskutimeve në mes të kryeqyteteve kryesore, që mendimet e lëngshme të ngurtësoheshin në një dokument të shkruar që u është prezantuar palëve (në shenjë respekti ndaj palëve, le të themi në javën e tretë të tetorit).

Ky dokument, pra propozimi franko-gjerman, të cilin e ka parë AP, në esencën e tij është një formulim i thjeshtë, që reflekton respekt për pozicionet e palëve.
Pavarësisht dëshirës sonë që të krijojmë lajm, AP nuk do ta publikojë këtë dokument.
Ajo çfarë mund të themi mbi këtë propozim janë këto katër çështje që i vlerësojmë me interes për publikun dhe që po i veçojmë nga propozimi aktual:

Nën 1) Në fillim të propozimit përcaktohet korniza e asaj që dokumenti i publikuar me 18 shtator e cilëson si ko-ekzistencë e Serbisë dhe e Kosovës si dy realitete të ndara politike dhe juridike si dhe nevoja që Serbia dhe Kosova të zhvillojnë marrëdhënie të mira fqinjësore mbi parimin e të drejtave dhe detyrimeve të barabarta. Në këtë frymë, më pas shtrohet nevoja që Kosova dhe Serbia të avancojnë nivelin e përfaqësimit aktual diplomatik në kryeqytetet respektive.

Nën 2) Propozimi po ashtu reflekton në plotni pohimin e dokumentit të publikuar me 18 shtator ku thuhet që Serbia duhet të mos e pengojë më rrugëtimin e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe në OKB.

Nën 3) Pra, raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë rregullohen me logjikën e marrëdhënieve në mes të dy shteteve të pavarura, përjashto aktin formal të njohjes. Kemi të bëjmë me pranim de fakto dhe jo me njohje de jure.

Nën 4) Asociacioni apo Bashkësia e Komunave Serbe është pjesë e këtij dokumenti vetëm në kontekstin e detyrimeve të trashëguara nga marrëveshja e parë, ajo e vitit 2013.

AP nuk do të lëshohet në shpjegimin e protokolleve përcjellëse dhe çështjeve tjera të përfshira në propozim, por, thënë në një fjali, ato paraqesin ngjizjen apo konvergjencën e procesit të deritanishëm të dialogut në Bruksel dhe të iniciativave e zhvillimeve brenda procesit të Berlinit, të veshura me petkun e një vizioni të ri politik që e shtynë procesin para.

Pos vërejtjeve të caktuara që mund të kenë palët, si Kosova ashtu edhe Serbia aktualisht janë shumë të angazhuara në negocimin e garancive jashtë marrëveshjes, pra të konkretizimit të asaj që përfitojnë palët nga pranimi i këtij propozimi.

Hapat e mëtejmë
Pas komenteve dhe vërejtjeve nga palët, ndërmjetësit do të prezantojnë një dokument final, pra super të ngurtësuar. Ky version, më pas, do t’i prezantohet edhe publikut të gjerë.
Burimet e AP tregojnë që, nëse arrihet pajtimi i palëve, në një kryeqytet të rëndësishëm evropian (i njohur për redaksinë) do të organizohet një ceremoni madhështore e nënshkrimit të marrëveshjes, ku tashmë është konfirmuar pjesëmarrja e zyrtarëve më të lartë evropianë dhe amerikanë.

Burimet e AP po ashtu konfirmojnë që synimi është që kjo të ndodhë para një vjetorit të luftës në Ukrainë. Nëse gjërat shkojnë sipas këtij plani, të dy palët do të kenë përfitime shumë të mëdha ekonomike dhe politike.

Si shpërblim i veçantë për Serbinë, do të ketë angazhim të shtuar për shkurtim të kohës për anëtarësim në BE. Pra, Gjermania dhe Franca do të angazhohen që BE sa më parë të zgjidhë çështjet e brendshme dhe të jetë më e hapur ndaj anëtarësimit të Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit perëndimor. Serbia, po ashtu do të gëzojë një trajtim të veçantë si partner ekonomik dhe politik i Berlinit dhe Parisit.

Kosova do të shpërblehet me zhbllokimin e rrugës për në NATO dhe BE, që është me interes strategjik jetik për Kosovën. Kosova po ashtu do të përfitojë shumëçka nga iniciativat ekonomike dhe që mund të tregohen si jetike për zhvillimin ekonomik të vendit.

Njohja e ndërsjellë
Asgjë nuk ka ndryshuar në këtë pikë.
Kosova dhe Serbia nuk mund të hyjnë në BE pa e njohur njëra-tjetrën. Sidoqoftë, për këtë do të bisedohet atëherë kur të krijohen kushtet.

Dhe tani pak përsëri për shkopinjtë
Burimet e AP rrëfejnë që, sa i përket propozimit franko-gjerman, që palët tani e kanë në tavolinë, Kosova po tregohet si palë konstruktive, prandaj gjuha e penalizimeve, hë për hë, i referohet vetëm Beogradit.

Propozimi vlerësohet si një kompromis realist, prandaj refuzimi i Beogradit do të interpretohet si minim i përpjekjeve evropiane për vendosje të paqes përfundimtare në rajon dhe rreshtim me politikën destabilizuese të Rusisë.

Dështimin e procesit, zotëri Escobar e cilëson si mundësi të humbur, por në terma praktikë kjo nënkupton që, brenda disa fazash, Perëndimi do të tërhiqet ekonomikisht nga Serbia.
Përpos që nuk do të ketë më investime dhe fonde të reja, do të pasojë edhe tërheqja e investitorëve aktualë.
BE do të nis gradualisht përjashtimin e Serbisë nga projekte dhe iniciativa të përbashkëta dhe kështu me radhë deri në një izolim ekonomik dhe politik të vendit.
Në fund, pavarësisht JO-së serbe, perëndimi nuk do ta braktisë Kosovën dhe uniteti evropian do të mbizotërojë, në raport me Kosovën.

Pak për zgjedhjet amerikane…
Burimet e AP tregojnë që lidershipi në Beograd mban shumë shpresa në humbjen e demokratëve në zgjedhjet për kongres dhe senat, por edhe në një rikthim të mundshëm të Presidentit Trump.
Mendohet që mund të zvarritet procesi me shpresë të ndonjë ndryshimi në politikën amerikane.

Burimet e AP tërheqin vërejtjen që kjo është një aritmetikë e gabuar. Nuk ka asnjë bazë reale që një administratë e re Trump do të bënte hapa prapa në raport me Kosovën.

Për më tepër, një administratë e re Trump shumë lehtë mund të pranojë të ulet në tavolinë me Presidentin Putin për një ndarje të re të zonave të interesit, ku Ballkani padyshim që do të përfundonte si zonë amerikane, duke e përjashtuar tërësisht Serbinë nga procesi i vendimmarrjes.

Pra, propozimi aktual vërtet mund të jetë si propozimi i fundit i mirë për Serbinë dhe Kosovën.

Evropa e re…
Dhe në fund, burimet e AP theksojnë që, pavarësisht kush është në pushtet në Moskë apo në Uashington, Ballkani tanimë shihet si çështje brenda evropiane dhe jo si çështje ruse apo amerikane.
Evropa ka mësuar shumëçka nga presidenca Trump si dhe nga politikat dhe veprimet e Putinit. Evropa e vitit 2022 tashmë e ka kuptuar që duhet të mendojë në terma gjeostrategjik dhe të ketë instrumente, zgjidhje, karota, por edhe shkopinj shumë të fortë tërësisht MADE IN EU. /Albanianpost.com