Ekspertët kanë lëshuar një paralajmërim të fortë për një simptomë shqetësuese që mund të shfaqet si pasojë e përdorimit të ilaçeve si Ozempic dhe Mounjaro.
Ozempic, një injeksion i miratuar fillimisht për personat me diabet të tipit 2 për të ndihmuar në rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak, është bërë shumë i popullarizuar vitet e fundit edhe nga ata që kërkojnë të humbin peshë.
Ky ilaç, me emrin tregtar për substancën semaglutide, u miratua nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) në vitin 2017 për trajtimin e diabetit – por shumë e përdorin edhe për uljen e oreksit dhe humbjen e kilogramëve, edhe pse nuk është i miratuar zyrtarisht për këtë qëllim.
Në të kundërt, Mounjaro, një tjetër ilaç për diabetikët që ndihmon në uljen e nivelit të sheqerit në gjak, është i miratuar edhe për trajtim të mbipeshës dhe obezitetit.
Por përtej përfitimeve të raportuara, një studim i ri i Universitetit të Torontos ka zbuluar se përdorimi i këtyre dy barnave mund të sjellë humbje të shikimit tek personat që vuajnë nga diabeti.
Barnat e grupit GLP-1, ku përfshihen Ozempic dhe Mounjaro, janë lidhur me një rritje të ndjeshme të rrezikut për të zhvilluar degjenerim makular të moshës me neovaskularizim – një formë e përparuar e sëmundjes AMD që prek qendrën e shikimit dhe mund të çojë në humbje të përhershme të tij.
Sipas studimit, personat me diabet tip 2 që marrin këto barna kanë dy herë më shumë gjasa të preken nga problemet me shikimin sesa ata që i përdorin këto barna por nuk kanë diabet.
Sipas NHS, kjo formë e degjenerimit makular (AMD) është një gjendje e zakonshme që prek shikimin qendror dhe është një nga shkaqet kryesore të verbërisë së pakthyeshme tek personat mbi 50 vjeç.
Dr. Andrew Mihalache, një nga autorët e studimit, tha:
“Efekti që vërejtëm, ku ekspozimi më i gjatë ndaj barnave GLP-1 lidhej me rritje të rrezikut, e forcon idenë se ky asociacion nuk është i rastësishëm, por mund të jetë një efekt biologjik real.”
Ndërsa bashkëautorja, Dr. Reut Shor, shtoi:
“Rezultati ishte vërtet befasues, veçanërisht duke pasur parasysh entuziazmin në rritje për këta receptorë GLP-1 për përfitimet e tyre kardiovaskulare dhe metabolike. Kjo tregon se ka nevojë urgjente për më shumë kërkime mbi sigurinë e tyre për sytë.”
Megjithatë, duhet theksuar se rreziku për të zhvilluar AMD nga këto barna mbetet shumë i ulët – vetëm 0.2% sipas studimit.
Nëse po mendoni të filloni përdorimin e ndonjë bari të grupit GLP-1, këshillohuni gjithmonë me një profesionist të shëndetit për të parë nëse ky trajtim është i përshtatshëm për ju.