“Ëndërrojmë netët në Ligën e Kampionëve” – Shaqiri flet për ëndrrën e kthimit në garën e madhe me Baselin

Xherdan Shaqiri paraqitjen e tij të fundit në Ligën e Kampionëve e kishte më 14 prill 2021, kur u paraqit në çerekfinale ndaj Real Madridit (0-0), ku ai u inkuadrua në minutën e 82-të si lojtar i Liverpoolit. 

Shaqa ka luajtur 36 ndeshje në garën më të famshme në botë për klube, duke shënuar tre gola dhe dhënë shtatë asistime. Por me paraqitjet e fundit te Baseli, ai mund t’i ndyshojë këto shifra dhe mund të ketë ende për të dhënë në Ligën e Kampionëve.  

Sulmuesi anësor e ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve, fillimisht me Bayern Munich në vitin 2013, ndërsa të dytën me Liverpoolin në vitin 2019.  

Shaqiri që tani po shkëlqen me Baselin, të njëjtën gjë e kishte bërë edhe në fillim të karrierës. Me këtë klub ai fitoi tri tituj kampion (2010, 2011, 2012) dhe dy Kupa të Zvicrës.  

Tani, në moshën 33-vjeçare, ai është rikthyer pikërisht aty ku gjithçka nisi – te Baseli – dhe po shkëlqen sërish. 

Këtë sezon, Shaqiri ka luajtur 27 ndeshje në Superligën e Zvicrës, me 11 gola dhe 14 asistime, duke udhëhequr skuadrën drejt kreut të tabelës.  Pas 31 xhirove, Baseli ka katër pikë më shumë se Servette dhe pesë ndaj Young Boysit. 

“Kemi ende disa pengesa për të kaluar,” ka deklaruar Shaqiri, duke refuzuar të flasë për titullin. Por ëndrrat janë të lejuara – sidomos kur vijnë nga “Messi i Alpeve”.  

“Ne të gjithë ëndërrojmë për netët e Ligës së Kampionëve. Dhe po japim gjithçka për ta bërë realitet”, deklaroi ai për “Blue Sport”.