Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ka bërë të ditur se detajet e propozimit franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi të cilin Albanian Post e ka publikuar me 18 shtator, do të bëhen publike shumë shpejt.
“Unë besoj që shumë shpejt pasi të kenë pasur diskutime intensive me të dy qeveritë, ne do të fillojmë të angazhojmë publikun për të kuptuar thelbin e propozimit”, ka pohuar Escobar në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës’.
Diplomati amerikan iu ka bërë edhe njëherë thirrje autoriteteve në Kosovë që ta respektojnë kërkesën e ShBA-ve dhe Bashkimit Evropian për shtyerjen e afatit prej dhjetë muajsh për konvertimin e targave ilegale serbe në ato RKS.
Gjithashtu, ai ka pohuar se për shtyrjen e këtij vendimi nuk kanë marrë akoma zotim nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
“Do të shpresoja që ata të reagonin pozitivisht ndaj kërkesës jo vetëm të Shteteve të Bashkuara, por edhe të pjesës tjetër të Quint-it, të Bashkimit Evropian dhe të përfaqësuesit special, Miroslav Lajçak”.
Gjithashtu, ai e ka inkurajuar qeverinë e Kosovës që ta marrë seriozisht dialogun, të angazhohet me ndershmëri dhe të mendojë për zgjidhje që mund të përfshijnë edhe kompromis, por në fund të fundit njohja e pavarësisë dhe integrimi në organizatat ndërkombëtar janë çelsi.
“Qëndrimi ynë është se Kosova duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe duhet të integrohet në strukturat euroatlantike. Që të ndodhë kjo, ne presim që pesë vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur, ta njohin pavarësinë e Kosovës”, vlerësoi ai.
Escobar ka komentuar edhe angazhimin dhe rolin e ShBA-ve në procesin e dialogut.
“Unë do të thoja që ne jemi duke luajtur një rol më të madh. Unë kam partneritet të plotë me homologun tim të BE-së. Ne jemi plotësisht të angazhuar përmes Quint-it, besojmë se meqënëse kjo është një çështja evropiane dhe aspiratat e të dyja vendeve janë integrimi në Evropë, procesi duhet të drejtohet nga BE-ja”.
“Por, ne po e mbështesim atë plotësisht, nga ana politike, financiare, përmes ndërtimit të kapaciteteve dhe nëpërmjet çdo mekanizmi tjetër që kemi, në mënyrë që rezultati përfundimtar, edhe nëse ka një rezultat të ndërmjetëm përkohësisht, pra që rezultati përfundimtar, të krijojë stabilitet afatgjatë për rajonin”, shtoi ai.
Emërtimi i Gabriel Escobar-it në rolin e Emisarit Special për Ballkanin Perëndimor, e ka bërë të qartë politikën e administratës së Presidentit të ShBA-ve, Joe Biden, se kujdesi ndaj Ballkanit Perënsimor me theks të veçantë dialogun Kosovë-Serbi, nuk do të mungojë.
Amerikanët kanë insistuar prej kohësh që dialogu mos të përkufizohet në çështje teknike, si përshembull në çështjen e targave, pasi ato janë parë si dytësore karshi problemeve më të mëdha.
ShBA-të kanë intensifikuar punën për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, duke shfaqur një interesim më të madh në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje përfundimtare mes të dyja vendeve.
Ndryshe, Escobar, të enjten e 20 tetorit ka qëndruar në Prishtinë, kurse një ditë më vonë kishte vizituar edhe Beogradin. /Albanianpost.com